Alpinizmi dhe bjeshkataria po bëhen gjithnjë e më të dashur në shtetin e Kosovës.
“Bashkë me kolegun tim të freeride skijimit Emrus Adzemi dhe me ekipin e Base Agency vendosëm që të bëjmë incizimin e episodit të ri me ngjitje dhe lëshim me skia nga Maja e Pashallores 2092 metra, i cili do të shfaqet në Klan KS.
Pasi qëllimi ka qenë që të ngjitemi me pajisje ski-touringu (hiking me skia), për shkak të afërsisë me majën, vendosëm që atë ta bëjmë nga lagjja e fshatit Sevce, e njohur si Shubarini, në Komunën e Shtërpcës.
Pamje nga aktiviteti
Derisa ishim duke udhëtuar me veturë në fshatin e thellë të Sevces në Luginën e Syrinikës, disa banorë të fshatit duke na parë skiat përmbi kerr, na ndalnin duke menduar se e kemi gabu rrugën për në Brezovicë.
Me të arritur në fshat bashkë me Emrushin, i cili është skitar me përvojë nga Lubinja e Poshtme në Gryken e Prizrenit, filluam të ngjitemi me skia kah maja e Pashallores.
Pas 2 orëve ngjitje, duke ju afruar Pashallores e pame që maja ishte e zhveshur nga bora (pasi është faqe jugore) kështu që lëshimin e bëmë nga pjesa me më shumë bore nën maje.
Lëshimi ishte i mrekullueshëm anipse bora nuk ishte me sasi të mjaftueshme, dhe i tëri lëshim u incizua me dron, kamera të ekipit por edhe nga 3 kamerat tona.
Sikurse në vitin e kaluar, edhe episodët e kësaj sezone kanë për qëllim promovimin e bjeshkëve të Kosovës përmes skijimit në ski qendra, skijimit ekstrem në bjeshke të ndryshme dhe hikingut”, shkruan në faqen e “Kosova Hiking Trips”.