Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës kanë dalë me një komunikatë zyrtare pas rastit tragjik të ndodhur në Valbonë, ku një bjeshkatar nga Kosova humbi jetën aksidentalisht.
Siç bëhët e ditur në këtë komunikatë, me datën 26.07.2024 rreth orës 17:00 ShKShMK ka pranuar thirrje urgjente për ndihmë nga bjeshkatarët me shtetësi kosovare, të cilët ishin duke e zhvilluar aktivitetin e tyre në "Majën e Thatë" në luginën e Valbonës.
Gjatë zbritjes një nga bjeshkatarët aksidentalisht ka rrëshqitur duke rënë në humnerë.
"Udhëheqësi i ekipit ka arritur të afrohet te personi i aksidentuar dhe i ka dhënë ndihmën e parë, por që ka rezultuar pa sukses. Me të marrë lajmin, dy skuadra janë aktivizuar dhe kanë filluar operacionin e koduar "Maja e Thatë 1".
Ky operacion ka filluar me kordinim të plotë me institucionet e shtetit shqiptar, Policinë e Shtetit dhe stacionin e ShKShMAL në Valbonë.
Fillimisht është identifikuar natyra e aksidentit dhe lokacioni në bazë të koordinatave të dërguara nga vendaksidenti.
Operacioni është zhvilluar në dy drejtime operacionale:
1)Evakuimin e personave nga faqja shkëmbore që pritnin për ndihmë .
2)Evakuimin e trupit të aksidentuarit(sipas informatave nga vendi i ngjarjes nuk kishte shenja jete)", thuhet në njoftimin ShKShMK-së.
Nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës theksojnë se kanë kërkuar nga institucionet mbështetje nga ajri me helikopter, por përgjigja ka qenë negative për arsye teknike dhe se shpëtuesit së bashku me policë kujdestar dhe Ekipin e Shërbimi i Kërkim - Shpëtimit Malor të Shqipërisë nga Valbona janë nisur në drejtim të vendaksidentit.
Sipas ShKShMK-së, për shkak të terrenit dhe mungesën e mbështetjes ajrore, evakuimi i bjeshkatarëve të ngujuar në faqen shkëmbore të majës së Thatë ka zgjatur gjatë tërë natës. Ata kanë bërë thirrje te shteti shqiptar që të jenë më të koordinuar në raste të tilla.
"Edhe pas shumë thirrjeve dhe komunikimeve maratonike nuk është siguruar asnjë helikopter shtetëror që do të transportonte pajisje shtesë dhe shpëtues për realizimin e operacionit,nga komunikimet zyrtare vazhdimisht kishte justifikime të natyrave të ndryshme.
E gjithë vonesa e evakuimit të viktimës ishte shkaku i premtimeve boshe, jo sikur është raportuar mos qasja te viktima, shpëtuesit kanë arritur te viktime në kohë rekorde.
Duke u bazuar në situatën e ndërlikuar me shumë pa qartësi dhe pengesa burokratike, ka lind nevoja që të kontaktohet kompania private VIVA Helicopters të cilët në kohë rekorde dhe shumë profesionale kanë realizuar transportimin e shpëtuesve së bashku me pajisje dhe më në fund edhe evakuimin e viktimës deri në luginën e Valbonës, ku edhe pritnin autoritet relevante.
Gjatë operacionit 26 orësh duke e llogaritur pranimin e thirrjes deri në kthimin e shpëtuesit të fundit ShKShMK ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me Ambasadorin e Republikës së Kosovës në Shqipëri Z. Skender Durmishi, i cili në vazhdimësi ka mbajtur kontakt dhe është mobilizuar për ndërlidhje diplomatike dhe ofruar mbështetje morale e institucionale për operacionin që zhvillohej. Ftojmë institucionet e shtetit Shqiptar që në raste të tilla të jenë më të koordinuar dhe efikas,që operacionet e tilla të zhvillohen me pak komplikime dhe efikasitet", thuhet në komunikatën e ShKShMK-së.