Presidenti i zgjedhur amerikan Joe Biden ka biseduar të hënën me sekretarin e përgjithshëm të KB-së Antonio Guterres rreth "partneritetit strategjik" në luftën kundër pandemisë Covid-19 dhe ndryshimit të klimës - dy çështje në të cilat Donald Trump refuzoi qasjen miltilaterale, ka bërë të ditur ekipi i Bidenit.
Presidenti ende aktual i SHBA-zë e ka quajtur ndryshimin e klimës "mashtrim". Në vitin 2017, ai tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja globale për të luftuar ngrohjen globale - e cila u finalizua zyrtarisht në fillim të nëntorit të këtij viti - ndërsa Bideni u zotua që me të marrë detyrën të kthejë Shtetet e Bashkuara në paktin global të klimës të vitit 2015 të rënë dakord.
Trumpi po ashtu ka ndërprerë financimin e SHBA-së për Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) dhe ka tërhequr vendin nga anëtarësimi në atë organizatë, që duhet të zyrtarizohet në qershor të vitit të ardhshëm. Presidenti amerikan akuzoi OBSH-në se është lodër në duart e Pekinit.
Biden njoftoi se do të anulonte gjithashtu vendimin e Trump.
Guterres dhe Biden diskutuan gjithashtu "përgjigjen ndaj krizave humanitare, forcimin e zhvillimit të qëndrueshëm, ruajtjen e paqes dhe zgjidhjen e krizave të sigurisë, si dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut", tha ekipi i Biden në një deklaratë.