Një grup i vogël parlamentarësh demokratë dhe republikanë propozuan një plan rimëkëmbjeje prej 908 miliardë dollarësh për të mbështetur ekonominë amerikane, të prekur nga pandemia e COVID-19, në një kohë që negociatat kanë rifilluar mes Kongresit dhe Shtëpisë së Bardhë.
Për momentin, paketa e ndihmës nuk ka miratimin e Shtëpisë së Bardhë dhe dy propozime të tjera konkurruese po qarkullojnë. Por rinisja e negociatave është një shenjë që zyrtarët e zgjedhur nga të dy partitë duan të ecin përpara për këtë çështje të bllokuar që nga vera.
Njoftimi për këtë ringjallje të dialogut vjen ndërsa ekipi ekonomik i Joe Biden u prezantua zyrtarisht të martën, presidenti i zgjedhur duke i kërkuar Kongresit të votojë pa vonesë për një plan të “fuqishëm” të ndihmës.
Përveç planit prej 908 miliardë dollarësh, udhëheqësit demokratë në Kongres u prezantuan propozimin e tyre udhëheqësve republikanë, pa zbuluar shumën.
Ndërkohë, drejtuesi i mazhorancës republikane në Senat, Mitch McConnell zbuloi dje se i kishte kërkuar Shtëpisë së Bardhë se çfarë masash presidenti në ikje, Donald Trump do të ishte gati të miratonte para largimit të tij më 20 janar.