Piloti amerikan Charles "Chuck" Yeager, personi i parë që ka thyer murin e zërit, ka vdekur në moshën 97-vjeçare, ka bërë të ditur gruaja e tij, shkruan BBC.
"Me pikëllim të thellë ju njoftoj se dashuria ime e jetës, gjenerali Chuck Yeager, vdiq në orën 21:00," ka shkruar Victoria Yeager.
Chuck Yeager bëri histori më 1947 pas fluturimit të tij me një aeroplan raketë eksperimental Bell X-1, gjatë të cilit u bë njeriu i parë që fluturoi më shpejt se shpejtësia e zërit. Ai më vonë theu disa rekorde të tjera të shpejtësisë dhe lartësisë kur bëhet fjalë për fluturimet.

Charles E. "Chuck" Yeager
- Kjo ka qenë një jetë e mahnitshme. Ishte piloti më i madh amerikan, forca, aventurizmi dhe patriotizmi i të cilit do të mbahen mend përgjithmonë - ka shkruar gruaja e tij, e cila nuk tregoi se nga çka vdiq Yeager.
Si 24-vjeçar, Yeager theu murin e zërit më 14 tetor 1947, dhe më pas arriti shpejtësinë prej 1 Mach, dmth 1225 km/h në lartësi prej 13,700 metrash. Ishte një arritje shumë e guximshme, pasi në atë kohë askush nuk ishte i sigurt nëse njerëzit mund të mbijetonin duke thyer fare murin e zërit. Publiku u informua për suksesin e tij vetëm vitin e ardhshëm, në 1948.
Tom Wolfe ka shkruar në librin "The Right Stuff" për përpjekjen historike të Yeager, i cili më vonë shërbeu si model për filmin me të njëjtin emër.

Charles E. "Chuck" Yeager
Para se të fitonte famë botërore, Yeager ka qenë edhe pilot luftarak në Luftën e Dytë Botërore, dhe gjatë karrierës së tij u bë piloti më i dekoruar amerikan në histori. Për herë të fundit theu murin zërit si 89-vjeçar, në 2012.