SHBA regjistron rekord të vdekjeve nga COVID-19 për 24 orë

Amerika

SHBA regjistron rekord të vdekjeve nga COVID-19 për 24 orë

Më: 10 dhjetor 2020 Në ora: 10:06
Foto ilustrim

Transmetuesi publik britanik, BBC ka raportuar se SHBA ka regjistruar shifrën më të madhe të të vdekurve nga COVID-19 gjatë 24 orëve të kaluara.

Sipas BBC-së, rekordi i mëparshëm ishte shënuar më 7 maj, kur për një ditë kishin vdekur 2.769 persona nga sëmundja Covid-19.

Sipas projektit “Covid Tracking Project”, mbi 106 mijë persona ndodhen në spitalet e Shteteve të Bashkuara për shkak të kësaj sëmundje.

Spitalet në disa shtete janë pothuajse plot dhe ekspertët mjekësorë po paralajmërojnë që gjendja do të përkeqësohet në javët e ardhshme, nëse njerëzit vazhdojnë të mos i respektojnë këshillat për t’i shmangur tubimet e mëdha dhe udhëtimet e panevojshme.

Po ashtu, shumë ekspertë u shprehën se rritja e madhe e numrit të rasteve ka ardhur si pasojë e mungesës së kujdesit të amerikanëve gjatë festës së Ditës së Falënderimeve, shkruan BBC.

Kurse, presidenti në largim, Donald Trump, është kritikuar ashpër për masat që i ka marrë gjatë pandemisë, ndërsa presidenti i zgjedhur, Joe Biden, ka premtuar ndryshim të qasjes së Shtëpisë së Bardhë në këtë aspekt.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë vendi më i prekur në botë nga pandemia dhe kanë shifra rekorde për numrin e të infektuarve dhe viktimave.

Deri më tani, atje janë shënuar mbi 15 milionë të infektuar dhe më shumë se 289 mijë të vdekur.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat