Dy kompani që merren me teknologjinë zgjedhore, të cilat janë përmendur nga Presidenti Trump gjatë akuzave të pavërtetuara për mashtrime të përhapura gjatë votimeve presidenciale, janë kundërpërgjigjur, duke rezultuar në deklarata të pazakonta publike nga grupet mediatike Fox News dhe Newsmax.
Deklaratat, të bëra gjatë fundjavës dhe të hënën, pasuan paralajmërimet e kompanive Smartmatic dhe Dominion se mund të ngrenë padi për raportime që sipas tyre përmbajnë informacion të rremë për këto kompani.
Të dyja kompanitë u përmendën në akuzat e ekipit zgjedhor të presidentit se numërimi i votave në shtete të lëkundura ishte manipuluar në avantazh të demokratit Joe Biden. Kompanitë përgënjeshtrojnë disa deklarata të bëra kundër tyre dhe nuk ka prova që ndonjë nga sistemet ka fshirë ose ndryshuar votat në zgjedhjet e nëntorit.
Një klip prej afro dy minutash i parapërgatitur u transmetuar gjatë fundjavës nga programi i kanalit Fox Business Network me prezantues Lou Dobbs si dhe nga emisionet e kanalit Fox News të drejtuara nga Maria Bartiromo dhe Jeanine Pirro.
Kjo ndodh disa ditë pasi kompania Smartmatic dërgoi një letër ku kërcënonte me padi grupin mediatik dhe dy rrjete të tjera që gëzojnë popullaritet mes përkrahësve të Presidentit Trump, Newsmax dhe One America News.
Segmentet dy minutëshe të realizuara nga rrjeti Fox u tranmetuan në formën e një interviste me pyetje përgjigje mes një intervistuesi që nuk shfaqet në ekran dhe Eddie Perez, një ekspert për teknologjinë e votimit në Institutin “Open Source Election Technology”.
"Nuk kam parë prova se programi kompiuterik i kompanisë Smartmatic u përdor për të fshirë, ndryshuar apo transformuar votat,” tha zoti Perez.
Kompania thotë se e vetmja punë që ka bërë në lidhje me zgjedhjet e 2020 ishte në Los Anxhelos. Avokati i Presidentit Trump, Rudolph Giuliani ngriti pretendimin e pavërtetë se Smartmatic ishte themeluar në Venezuelë nga ish-diktatori Hugo Chavez me synimin për të manipuluar zgjedhjet. Smartmatic u themelua nga një venezuelian, por kompania tha se Chavezi nuk kishte lidhje me të dhe për herë të fundit kompania bëri punë në Venezuelë në 2017, kur programi i saj kompiuterik tregoi se qeveria kishte raportuar numra të pasaktë të pjesëmarrjes në zgjedhje.
Pasi segmenti u transmetua të dielën në emisionin e kanalit Fox me Maria Bartiromo, prezantuesja tha "Ja ku jemi për momentin. Do të vazhdojmë investigimin”.
Zoti Perez tha gjithashtu se nuk duket që ka marrëdhënie biznesi mes kompanive Smartmatic dhe Dominion; avokatët e presidentit kishin ngritur pa prova pretendimin se sistemi i numërimit i kompanisë Dominion i përdorur në disa zona elektorale kishte përdorur programin kompiuterik të kompanisë Smartmatic.
I pyetur të hënën lidhur me këto segmente, avokati i Smartmatic, J. Erik Connolly, tha se kjo kompani “nuk mund të komentojë lidhur me segmentin e transmetuar nga kanali Fox News pasi mund të ketë ngritje padie”.
Fox News nuk bëri komente për këtë temë, përveç transmetimit të segmentit.
Një deklaratë e transmetuar nga Newsmax të hënën si dhe e publikuar në faqen elektronike të këtij rrjeti ishte shumë më e gjerë dhe fliste për të dyja kompanitë: Smartmatic dhe Dominion.
Në deklaratë, Newsmax tha se ka “disa faktorë që duhet t’i kenë të qartë shikuesit dhe lexuesit tanë,” ndër to mungesa e një marrëdhënieje biznesi mes këtyre dy kompanive si dhe faktin që Dominion nuk kishte lidhje me George Soros, Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi apo të tjerë.
"Nuk janë ofruar prova se Dominion apo Smartmatic kanë përdorur programe kompiuterike që manipuluan votat në zgjedhjet e 2020,” tha Newsmax.
Zëdhënësi i grupit mediatik, Anthony Rizzo tha se vetë Newsmax nuk kishte ngritur kurrë pretendime se janë bërë veprime të parregullta, por të tjerët që ishin intervistuar nga ky rrjet kishin hedhur dyshime apo aludime për Smartmatic.
"Si çdo grup mediatik, ne ofrojmë një forum për të ngritur për diskutim shqetësimet e publikut,” tha ai.
Nuk ka pasur ende reagime ndaj kërkesës për komente nga rrjeti One America News.
Kompania Dominion nuk ka veçuar ndonjë grup specifik mediatik. Javën e kaluar avokatët e saj i dërguan një letër përkrahëses së Presidentit Trump Sidney Powell, duke i kërkuar të tërheqë disa nga akuzat e saj “më absurde dhe të rrezikshme” lidhur me këtë kompani. Avokatët e Dominion thonë në letër se disa nga punonjësit e kompanisë janë gjurmuar, ngacmuar e madje edhe kërcënuar me vdekje.
Zonja Powell, juriste nga Teksasi, ishte pjesë e ekipit ligjor të presidentit pas zgjedhjeve, por u shkëput pasi bëri akuza se ishte inskenuar një manipulim i makinave të votimit.
Në letër në adresë të zonjës Powell, avokatët e kompanisë Dominion Thomas Clare dhe Megan Meier thanë se kompania nuk kishte lidhje “me qeverinë kineze, venezueliane, Hugo Chavezin, (politikanin britanik) Malloch Brown, George Sorosin, apo monstrën Loch Ness".
Zonja Powell nuk iu përgjigj kërkesës për komente.
Avokati Clare tha se për momentin kompania Dominion është e përqëndruar tek juristja Powell lidhur me komentet që ka bërë për këtë kompani.
"Në të ardhmen, do të analizojmë nga afër edhe të tjerë që kanë marrë pjesë direkt në këtë fushatë njollosjeje, si dhe ata që kanë ofruar pa kokëçarje një platformë për këto pretendime të diskredituara,” tha ai. /VOA