Presidenti në largim i SHBA-së, Donald Trump, fali 15 persona këtë javë, por vendimi i tij për të falur katër ish roje të sigurisë, Blackwater, të dënuar për masakrën e Bagdadit të vitit 2007 që vranë 14 civilë irakianë, ka shkaktuar shumë kritika.
Nicholas Slatten, Paul Slough, Evan Liberty dhe Dustin Heard u dënuan gjashtë vjet më parë për vrasjen e 14 civilëve irakianë dhe plagosjen e 17 të tjerëve. Dëshmitarët thanë se burrat i zunë pritë civilëve duke i qëlluar në Sheshin Nisour në Bagdad, raporton usatoday.
Masakra ndodhi në vitin 2007, kur katër të dënuarit punuan si roje sigurie në Bagdad për Blackwater, një furnizues privat ushtarak.
Ata pretenduan se u qëlluan, por prokurorët thanë se rojet e Blackwater ishin të parët që hapën zjarr. Slatten, për të cilin prokurorët thanë se filloi të shtënat, u dënua me burgim të përjetshëm.
Disa zyrtarë e kanë paralajmëruar Trump se ky vendim i faljes do të ketë pasoja serioze dhe do të rrezikojë sigurinë e personelit ushtarak amerikan, do të ndezë tensionet SHBA-Iran dhe do të njollosë sistemin e drejtësisë amerikane në sytë e botës.
OJQ-ja për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” tha se faljet ishin “përbuzje për sundimin e ligjit”.