FBI: Përpjekje për t'u shitur rusëve kompjuterin e zyrës së Pelosit

Amerika

FBI: Përpjekje për t'u shitur rusëve kompjuterin e zyrës së Pelosit

Më: 19 janar 2021 Në ora: 06:41
Riley June Williams

Sipas një aktpadie, strukturat e zbatimit të ligjit po kryejnë hetime mbi një grua e cila dyshohet se ka marrë një kompjuter portativ ose një usb nga zyra e Kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve Nancy Pelosi gjatë sulmit të dhunshëm të 6 janarit në Kapitol dhe më pas është përpjekur t'ia shesë pajisjet zbulimit rus.

Një agjent i FBI-së i zbuloi detajet në një deklaratë të shkruar, të bërë nën betim, e cila u bë publike të dielën në mbrëmje, ku përshkruhet një çështje penale kundër Riley June Williams nga Pensilvania e akuzuar për hyrje të paligjshme në ndërtesën e Kapitolit dhe orientimin e njerëzve drejt zyrës së zonjës Pelosi.

Vjedhja e pajisjeve elektronike nga zyrat e kongresit ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm pas sulmit nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.

Prokurori i Përkohshëm amerikan Michael Sherwin tha pas sulmit se disa nga vjedhjet mund të kishin rrezikuar potencialisht ato që ai i quajti "objekte me vlerë për sigurinë kombëtare".

Në aktpadinë e paraqitur në Gjykatën e Qarkut të Uashingtonit thuhet se FBI-ja e kishte siguruar informacion nga një person që u tha se ishte një ish-partner intim i zonjës Williams.

Personi që dha informacionin tha se zonja Williams "synonte t'ia dërgonte pajisjen kompjuterike një miku në Rusi, i cili më pas planifikonte t'ia shiste atë shërbimit rus për zbulimin e huaj (SVR)", thuhej në deklaratën e bërë nën betim.

Sipas personit që dha informacionin "transferimi i pajisjes kompjuterike në Rusi deshtoi për arsye që nuk dihen dhe zonja Williams ose e ka ende pajisjen kompjuterike ose e ka shkatërruar atë". Strukturat e zbatimit të ligjit po vazhdojnë ende hetimet mbi këtë çështje.

Agjencia e lajmeve Reuters bëri të ditur se nuk ka mundur ta kontaktojë zonjën Williams për një koment.

Sipas FBI-së, duket se zonja Williams jeton në një banesë të cilën ajo ndante me nënën e saj e që ndodhet pranë Harrisburgut në Pensilvani. Ajo ka çaktivizuar gjithashtu numrin e telefonit si dhe ka mbyllur llogaritë e saj në median sociale.

Një zëdhënës i zonjës Pelosi, Drew Hammill, nuk iu përgjigj një kërkese për koment lidhur me rastin.

Dy ditë pas sulmit të dhunshëm në Kapitol zoti Hammill tha se një kompjuter portativ i përdorur për prezantime ishte vjedhur nga një sallë konferencash në zyrën e zonjës Pelosi. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për të njëjtin kompjuter të cilin akuzohet se ka marrë zonja Williams.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat