“Kanë qenë katër vjet të pabesueshëm. Kemi arritur aq shumë së bashku”, tha presidenti në largim i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, pak minuta pasi doli nga Shtëpia e Bardhë.
Trump dhe zonja e parë, Melania, ndaluan në bazën “Joint Base Andrews” në Merillend, ku u pritën nga anëtarë të tjerë të familjes Trump dhe mbështetës të tyre.
“Ajo që kemi bërë, ka qenë e mahnitshme me të gjitha standardet”, tha Trump, duke përmendur ndryshimet në ushtrinë amerikane, krijimin e vaksinës kundër koronavirusit e të tjera.
Melania Trump tha se të qenët zonjë e parë, ka qenë “nderi i jetës së saj”.
Trump është presidenti i parë në 152 vjet që nuk merr pjesë në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur.
Ai nuk e ka pranuar kurrë humbjen ndaj demokratit Joe Biden, por ka pretenduar, pa sjellë ndonjë provë, se zgjedhjet janë vjedhur.
Trump dhe zonja e parë do të udhëtojnë drejt Floridës.