2020-a ishte një vit gjatë të cilit ndarjet politike në SHBA u thelluan si kurrë ndonjëherë.
Gjatë kësaj periudhe, ekstremistët e djathtë u tërhoqën më tej në rrjetet sociale, duke çuar në një rënie të grupeve aktive të urrejtjes, sipas një organizate që ndjek çështjet e racizmit, ksenofobisë dhe të milicive anti-qeveritare.
Qendra Ligjore për Varfërinë në Rajonet e Jugut (SPLC) thotë se në vitin 2020 identifikoi 838 grupe aktive të urrejtjes që veprojnë në vend, nga 940 që ishte një vit më parë.
Edhe numri i organizatave të nacionalizmit të bardhë ka patur rënie.
Sipas një raporti të qendrës ligjore të publikuar të hënën, këto grupe kishin patur një rritje të madhe dy vitet e mëparshme, të inkurajuar nga fushata dhe presidenca e Donald Trumpit.
Megjithëse numri i grupeve të urrejtjes kundër imigrantëve, myslimanëve dhe personave LGBTQ mbeti thuajse i pandryshuar, aktiviteti i tyre fizik u pengua nga pandemia e koronavirusit.
"Raporti i vitit 2020 është interesant, sepse tregon një rënie në numrin e grupeve që ne po ndjekim, që mund të jetë pjesërisht për shkak të pandemisë. Ndërkaq ka një prani gjithnjë e më të madhe në internet të këtyre grupeve, në vend që ato të dalin fizikisht,” thotë Presidentja e organizatës Margaret Huang.
Qendra ligjore me bazë në Montgomeri të Alabamës, thotë se rënia mund të pasqyrojë gjithashtu faktin që grupet e bardha nacionaliste dhe neo-naziste janë copëzuar dhe janë bërë më të vështira për tu studiuar, pasi përdorin komunikime të koduara në internet.
Disa grupe janë ndaluar përgjithmonë nga platformat kryesore të mediave sociale.
Rënia mund të jetë gjithashtu rrjedhojë e zhdukjes gati të plotë të Ku Klux Klanit, thotë organizata.
Por më e rëndësishmja, thotë zonja Huang, është se kërcënimi nga grupet ekstremiste është rritur.
"Këto lloj kërcënimesh kanë ekzistuar prej një kohe shumë të gjatë. Prandaj duhen studiuar të gjitha arsyet përse këto grupe mundën të fitonin kaq shumë ndikim gjatë administratës së fundit, në atë masë saqë u ndienë të inkurajuara për të ndërmarrë ato lloj veprimesh që ne pamë më 6 janar," thotë Margaret Huang.
Ajo thotë se kërcënimi nuk është zhdukur thjesht sepse Presidenti Trump është larguar nga Shtëpia e Bardhë.
“Kërcënimi është po aq i madh. Sidomos retorika e përsëritur rreth nevojës për të përdorur dhunë në shërbim të këtyre qëllimeve të grupeve ekstremiste është ende shumë alarmante," thotë ajo.
Sipas zonjës Huang, statistikat që organizata e saj përdor prej disa dekadash mund të mos jenë mënyra më e mirë, sepse nuk pasqyrojnë nivelin e kërcënimit, veçanërisht kërcënimin me dhunë, që është vënë re gjatë disa muajve të fundit.
"Në fund të fundit, nivelet e urrejtjes dhe fanatizmit në Amerikë nuk janë pakësuar", tha Presidentja e organizatës Margaret Huang./Voa/