Një person që u lirua nga burgu u kthye përsëri prapa grilave në Shtetet e Bashkuara pasi dyshohet se tentoi të vidhte një veturë vetëm 20 minuta pasi u lirua nga burgu në Uashington.
Policia iu përgjigj thirrjes për vjedhje të veturës në orën 22 e 28 minuta, të shtunën. Autoritetet thanë se i dyshuari, Marcus Goodman, 31 vjeç, iu afrua një vajze, e cila u tha policëve se i dyshuari kishte armë dhe ia kërkoi veturën para se të arratisej.
Policia tha se Goodman ishte liruar nga burgu po atë ditë, në orën 22 e 8 minuta, vetëm 20 minuta para se autoritetet të informoheshin për rastin e vjedhjes së veturës, shkruan Fox News.
Policia e lokalizoi shpejt veturën e vjedhur dhe personi i dyshuar u ndalua nga autoritetet.
“Hetimet treguan se për 20 minuta, Goodman kishte udhëtuar rreth 2.5 kilometra nga burgu deri te vendi i incidentit dhe ia kishte vjedhur veturën viktimës së re”, thuhet në deklaratën për gazetarë të Departamentit të Policisë.
Goodman u kthye përsëri në burg nën akuzën për plaçkitje të shkallës së dytë, thanë autoritetet amerikane.