Departamenti i Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara urdhëroi të shtunën një agjenci për emergjencat që zakonisht u përgjigjet përmbytjeve, stuhive dhe katastrofave të tjera të mëdha, për të ndihmuar në përkujdesjen për një numër në rritje të fëmijëve migrantë që arrijnë në kufirin SHBA-Meksikë.
Sekretari Alejandro Mayorkas tha në një njoftimi për shtyp se Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA) do të vendosej në kufi "për të ndihmuar në pritjen, strehimin dhe transportimin e fëmijëve" për 90 ditët e ardhshme.
Masa sinjalizon një krizë humanitare dhe politike në rritje për administratën e Presidentit Joe Biden. Shtimi i numrit të personave në kufi ndodh pasi zoti Biden ka përmbysur disa nga politikat kufizuese të ish-Presidentit republikan Donald Trump.
Të miturit e pashoqëruar që kapen duke kaluar kufirin transferohen nga zyrtarët e imigracionit në një agjenci tjetër federale, Departamenti i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore (HHS). Por rritja e numrit të fëmijëve që vijnë pa prindër ose kujdestarë ligjorë ka tejkaluar kapacitetin e strehimit, i cili është reduktuar me 40% për të kufizuar përhapjen e COVID-19.
Kufizimet e kapacitetit të strehimit në lidhje me koronavirusin u hoqën më 5 mars, por vetëm rreth 200 shtretër u bënë të disponueshëm javën e kaluar, u tha gazetarëve një zyrtar i administratës të premten.
Nuk është shumë e qartë se si do të ndihmojë FEMA, megjithëse agjencia ka ekspertizë në strehimin dhe kujdesin për ata që mbeten pa shtëpi. Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha se FEMA do të analizojë "çdo alternativë për të zgjeruar me shpejtësi kapacitetin për strehimin e duhur."
FEMA tha se po punonte edhe me Departamenntin e Shëndetit "për të siguruar ushqim, ujë dhe kujdes mjekësor bazë."
Fëmijët migrantë të kapur në kufi nuk duhet të qendrojnë në kujdestarinë e Patrullës Kufitare më shumë se 72 orë. Por kur hapësira e strehimit është e kufizuar, ata mund të mbeten në qendrat e paraburgimit kufitar për periudha më të gjata - siç po ndodh tani.
Deri të enjten në mëngjes në pikat kufitare të Shteteve të Bashkuara po mbaheshin mbi 3,600 fëmijë imigrantë, i tha një zyrtar amerikan agjencisë së lajmeve Reuters, më shumë se katër here më shumë sesa numri i mëparshëm. Deri të premten zyra për refugjatët e Departamentit të Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore kishte rreth 8,800 fëmijë të pashoqëruar nën kujdesin e saj./VOA