Autoritetet në shtetin amerikan të Xhorxhias arrestuan një person të martën vonë pas të shtënave me armë që rezultuan në vdekjen e tetë personave, gjashtë prej tyre gra aziatike. Ministria e jashtme e Koresë së Jugut tha se katër nga viktimat ishin me origjinë koreane.
Të shtënat ndodhën në tre sallone masazhesh në zonën metropolitane të Atlantës. Policia identifikoi 21-vjeçarin Robert Aaron Long si të dyshuarin e vetëm të këtyre incidenteve pasi kamerat e sigurisë tregonin automjetin e tij në të tre vendet ku kishte patur të shtëna me armë.
Autoritetet thanë se Long u arrestua në jug të Atlantës pas ndjekjes me makinë nga policia në një autostradë të qytetit.
Incidenti me armë pason sulmet e tjera kundër njerëzve me origjinë aziatike në Shtetet e Bashkuara. Në konferencën e shtypit pas incidentit, zyrtarët e policisë u pyetën nga gazetarët nëse incidenti po hetohej si një sulm kundër aziatiko-amerikanëve.
"Asgjë nuk do të përjashtohet. Ne po bëjmë një hetim të vrasjeve të shumëfishta. Pra, hetuesit do të shkojnë atje ku do të na çojnë provat", tha zyrtari i policisë së qarkut të Çerokit, Jay Baker.
Grupi kundër urrejtjes së aziatiko-amerikanëve “Stop AAPI Hate” i quajti të sulmet "një tragjedi të rëndë" për komunitetin aziatiko-amerikan.
Grupi tha në një deklaratë se ka marrë gati 3,800 raporte të incidenteve të urrejtjes në të gjithë vendin që nga marsi i vitit 2020.
Grupi gjithashtu tha se nuk është bërë mjaft për të mbrojtur aziatiko-amerikanët nga “nivelet e rritura të urrejtjes, diskriminimit dhe dhunës."
Ligjvënësja Primula Jayapal, anëtare e grupit të ligjvënësve aziatiko-amerikanë në Kongres, e dënoi incidentin në një mesazh në Twitter. Ajo bëri thirrje që t’i jepet fund dhunës dhe urrejtjes në të gjitha komunitetet e Amerikës. /VOA