SHBA: Disa familje migrante do të vendosen në hotele - zyrtarët

Amerika

SHBA: Disa familje migrante do të vendosen në hotele - zyrtarët

Më: 20 mars 2021 Në ora: 20:11
Foto

Disa familje migrantësh që mbërrijnë në Shtetet e Bashkuara do të strehohen në hotele, sipas një programi të ri të menaxhuar nga organizatat jofitimprurëse, thanë burime që kishin njohuri për planet.

Zyrtarët po përpiqen që me këtë masë të shmangin vendosjen e imigrantëve në qendra paraburgimi të menaxhuara nga kompani private që janë kritikuar nga demokratët dhe ekspertët e shëndetësisë.

“Endeavors”, një organizatë me qendër në San Antonio, do të mbikëqyrë ato që i quan "objekte pritëse të familjeve" – hotele në Teksas dhe Arizona, thanë dy burime. Organizata, në partneritet me ente të tjera jofitimprurëse, fillimisht do të sigurojnë deri në 1,400 shtretër në shtatë hotele të njohura për familjet që konsiderohen të ekspozuara ndaj rreziqeve kur kapen në kufi.

Hapja e qendrave të pritjes do të shënonte një ndryshim të rëndësishëm nga ana e administratës së Presidentit Joe Biden, në kontrast me mbajtjen e familjeve migrante në objekte fitimprurëse.

Në janar, Presidenti Biden lëshoi një urdhër që udhëzonte Departamentin e Drejtësisë të mos i rinovonte kontratat me mjediset e paraburgimit të menaxhuara nga kompani private. Megjithatë, udhëzimi nuk fliste për burgjet e imigracionit që operohen nga ICE, Agjencia Ligjzbatuese për Imigracionin dhe Doganat.

Rreth 1,200 migrantë mbahen në dy qendra paraburgimi për familjarët në Teksas që nga e mërkura, sipas një zëdhënëseje të Agjencisë. Një qendër e tretë në Pensilvani nuk po përdoret më për të mbajtur familje.

Zëdhënësja nuk komentoi mbi planin për të strehuar familjet në hotele.

Numri i migrantëve që mbërrijnë në kufirin SHBA-Meksikë është rritur javët e fundit ndërsa Presidenti Biden ka anuluar disa nga politikat e vijës së ashpër të ish-Presidentit Donald Trump.

Zoti Biden, i cili e mori detyrën më 20 janar, është përballur me kritika nga republikanët për anulimin e këtyre politikave.

Familjet do të mbërrijnë së pari në stacionet e patrullimit kufitar dhe më pas do të dërgohen në objektet hoteliere për të vazhduar procesin me dokumentet e imigracionit, thanë burimet.

Migrantët mund të largohen shumë shpejt nga qendrat e pritjes nëse dokumentet janë përfunduar dhe ata testojnë negativisht për COVID-19-n.

Zyrtarët kanë thënë se familjet migrante do të “dëbohen" për në Meksikë ose në vendet e tyre të lindjes sipas një urdhri shëndetësor të presidencës Trump, i njohur si Neni 42. Por më shumë se gjysma e të 19,000 familjeve të kapura në kufi në muajin shkurt nuk u dëbuan. Shumë prej tyre u lanë të hynin në brendësi të vendit./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat