Shteti amerikan i Alabamës u godit të enjten nga një numër tornadosh që lanë 5 të vrarë.
Stuhitë në shtetin jugor të SHBA-së erdhën pas gati 50 tornadove të tjerë të fuqishëm që përshkuan rajonin javën e kaluar.
5 viktima u raportuan në zonën e Kalhunit, midis Birmingamit dhe kufirit me Xhorxhën.
Mes tyre ishin tre anëtarët e një familjeje që banonin në një shtëpi druri, ndërsa një burrë dhe një grua tjetër humbën jetën në shtëpitë e tyre portative.
Në vitin 2011, e njëjta zonë raportoi një bilanc edhe më fatal: 13 viktima si pasojë e tornadove.
Autoritetet njoftuan se stuhitë e forta dhe përmbytjet vazhduan përgjatë natës, ndërsa 35 mijë banorë mbetën pa energji elektrike.
Të paktën 60 banesa janë dëmtuar dhe gjysma e tyre, në formën më serioze.
Rreziku i tornadove mbetet i lartë në qytetin industrial të Birmingamit, me impakt të mundshëm në jetë njerëzish dhe në ndërtesa.
