SHBA-ja dhe 13 vende të tjera shprehën shqetësime të martën se raporti i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për origjinën e COVID-19 u vonua dhe kishte mungesë të qasjes në të dhëna të plota, bazuar në një deklaratë të përbashkët.
“Është thelbësore që të shprehim shqetësimet tona të përbashkëta që studimi i ekspertëve ndërkombëtarë mbi burimin e virusit SARS-CoV-2 u vonua ndjeshëm dhe kishte mungesë të qasjes në të dhëna të plota, origjinale dhe mostra”, sipas deklaratës nga qeveritë e vendeve sikurse Australia, Kanadaja, Çekia, Danimarka, Estonia, Izraeli, Japonia, Letonia, Lituania, Norvegjia, Republika e Koresë, Sllovenia, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-ja, raporton Reuters.
Sipas medieve të huaja, të martën OBSH-ja publikoi raportin e saj mbi kërkimet e kryera për sa i përket origjinës së coronavirusit.
Ky raport jep katër burime të mundshme për virusin: transmetimi i drejtpërdrejtë nga një burim kafshësh, i përshkruar si “përhapje”; një kafshë (si proces i ndërmjetëm) që ishte infektuar nga një lakuriq, i pasuar me “përhapjen”; përhapja përmes ushqimit të ngrirë ose edhe një rrjedhje aksidentale nga një laborator.
Raporti vë në dukje se përhapja e drejtpërdrejtë konsiderohet të jetë një “rrugë e mundshme dhe me gjasë”, derisa shfaqja përmes një nikoqiri të ndërmjetëm konsiderohet të jetë një “rrugë e mundshme me shumë gjasa”.
Sipas të njëjtit raport, thuhet se mundësia e përhapjes përmes produkteve të ushqimit të ftohtë konsiderohet të jetë një “rrugë e mundshme”, derisa mundësia e një incidenti laboratorik u konsiderua të ishte një “rrugë jashtëzakonisht e vështirë”.