Tre gjeneralë dorëhiqen pas shkarkimit të ministrit të mbrojtjes nga Bolsonaro në Brazil

Amerika

Tre gjeneralë dorëhiqen pas shkarkimit të ministrit të mbrojtjes nga Bolsonaro në Brazil

Më: 30 mars 2021 Në ora: 22:09
Ministri braziilan i mbrojtjes Fernando Azevedo e Silva u shkarkua dje

Administrata e presidentit brazilian Jair Bolsonaro është tronditur së fundmi nga shkarkimi i papritur i ministrit të mbrojtjes dhe dorëheqjet e mëpasshme të tre gjeneralëve të lartë të ushtrisë.

Komandantët e ushtrisë, marinës dhe forcave ajrore të Brazilit raportohet se kanë dhënë dorëheqjen sot pas një takimi të tensionuar me ministrin e ri.

Ministria e mbrojtjes tha sot se drejtuesit e dorëhequr tre degëve kryesore të ushtrisë, Gjen. Edson Leal Pujol, Admiral Ilques Barbosa dhe lejtnant-Brig Antônio Carlos Bermudez, do të zëvendësohen, në atë që mediat quanin tërmet politik, në një kohë kur vendi përballet me pandeminë e koronavirusit.

E përditshmja Folha de São Paulo, shkruante se kjo nuk kishte ndodhur kurrë në historinë e vendit prej mosmarrëveshjeve me presidentin.

Zhvillimi erdhi pasi presidenti i djathtë shkarkoi dje ministrin e mbrojtjes gjeneral Fernando Azevedo e Silva gjatë atij që mediat vendase përshkruanin si një “takim i akullt tre-minutësh”.

Gazetarja vendase Eliane Cantanhêde shkruante se Azevedo e Silva i kishte bërë të qartë presidentit se “forcat e armatosura ishin besnike ndaj kushtetutës”  dhe jo forca personale e Bolsonaros.

Cantanhêde shkruante mes të tjerash: “Largimi i gjeneral Fernando tregon se ka një pjesë të madhe të forcave të armatosura që nuk pranojnë autoritarizmin”.

Herën e fundit që një drejtues ushtrie është shkarkuar në rrethana të tilla ishte në vitin 1977 kur gjenerali radikal Sílvio Frota u shkarkua pas tentativës për largimin nga posti të presidentit Ernesto Geisel, lideri ushtarak që qeverisi në vend nga 1964 deri 1985.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat