SHBA-ja përsërit angazhimin për sigurinë e Izraelit

Amerika

SHBA-ja përsërit angazhimin për sigurinë e Izraelit

Më: 3 prill 2021 Në ora: 10:07
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka përsëritur angazhimin e fuqishëm të SHBA-së për sigurinë e Izraelit. Blinken, gjatë një bisede telefonike me ministrin e Jashtëm të Izraelit, Gabi Ashkenazi, ka thënë se pret që të forcohen të gjitha aspektet e partneritetit SHBA-Izrael.

Në një deklaratë nga zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, u tha se të dy udhëheqësit diskutuan sfidat rajonale të sigurisë, ndihmën humanitare për popullin palestinez dhe normalizimin e marrëdhënieve me vendet me shumicë arabe dhe myslimane.

Vitin e kaluar, nën udhëheqjen e ish-presidentit, Donald Trump, SHBA-ja ndërmjetësoi nënshkrimin e marrëveshjeve për normalizimin e raporteve të Izraelit me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin, Sudanin dhe Marokun.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden ende nuk është fokusuar shumë në përfshirjen e më shumë vendeve në listë për normalizimin e raporteve me Izraelin.

Disa vende arabe duan të shohin zgjidhjen e mosmarrëveshjes së gjatë midis Izraelit dhe palestinezëve para se të bien dakord për një marrëveshje.

Blinken i tha ministrit Ashkenazi se izraelitët dhe palestinezët duhet të gëzojnë "masa të barabarta" të lirisë, sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë, raporton Reuters.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat