Guvernatori i Alaskës, Mike Dunleavy, tha se do t’u jepet qasje për marrje të vaksinës për COVID-19 turistëve, nëpër aeroportet kryesore duke filluar nga 1 qershori.
Dunleavy paraqiti planet për fushatën me të cilën do të përpiqet të tërheqë turistë duke përdorur paratë nga pakoja ndihmëse dhe tha se ofrimi i vaksinës është “një arsye e mirë që të vijnë në Alaskë gjatë verës”.
Ai dhe liderët të tjerë të shtetit kanë bërë presion që të lejojnë anijet turistike të kthehen në Alaskë pasi kufizimet i mbajtën larg ato vitin e kaluar, duke goditur bizneset dhe komunitetet.
Rreth 40 për qind e atyre që mund të vaksinohet në Alaskë, që janë mbi 16-vjeç, janë vaksinuar, shkruan AP.
Alaska ishte shteti i parë që hoqi kufizimet për kategoritë e vaksinimit, ku muajin e kaluar e hapi mundësinë e vaksinimit për të gjithë mbi 16-vjeç.