Në SHBA, pas problemeve të furnizimit me benzinë që zgjatën 6 ditë dhe shkaktuan panik në stacionet e karburantit, gjendja po normalizohet.
Benzina po rrjedh përsëri në tubacionin lindor të vendit që ishte paralizuar nga një sulm kibernetik dhe për të cilin fajësohet banda e hakerave rusë të njohur si DarkSide. Dje, Presidenti Joe Biden komentoi nga Shtëpia e Bardhë.
Presidenti Biden u bëri thirrje amerikanëve të mos bien në panik nga mungesat e karburantit si pasojë e sulmit kibernetik kundër Tubacionit Kolonial.
Ai paralajmëroi gjithashtu operatorët e stacioneve të benzinës që të mos manipulojnë çmimet.
“Mos u përpiqni të përfitoni nga konsumatorët gjatë kësaj periudhe. Unë po punoj me guvernatorët e shteteve të prekura për të ndaluar manipulimin e çmimeve kudo që të jetë. Dhe po kërkoj që agjencitë tona federale të jenë të gatshme për të ofruar ndihmë në nivel shtetesh për të monitoruar dhe trajtuar çështjen e çmimeve në stacionet e benzinës. Askush nuk duhet ta përdorë këtë situatë për përfitime financiare,” tha Presidenti Biden.
Ai tha se për shkak të gjatësisë së tubacionit, "efektet nuk do të ndihen menjëherë në stacionet e karburantit. Kjo nuk është si të hapësh e mbyllësh çelësin e dritave,” tha ai.
Kompania Colonial Pipeline u pagoi gati 5 milion dollarë hakerave të premten e kaluar, sipas njoftimeve nga Bloomberg News, i cili tha se në këmbim të pagesës që u bë me kriptomonedha, kompanisë iu dha një mjet për dekriptimin e programeve të saj kompjuterike të paralizuara, i cili nuk funksionoi.
Kompania nuk ka komentuar nëse u ka paguar shpërblim hakerëve.
"Nuk kam asnjë koment," u përgjigj Presidenti Biden kur u pyet nga një gazetar nëse ishte informuar për ndonjë pagesë të tillë.
Tubacioni, me gjatësi 8,850 kilometra, bart rreth 380 milion litra benzinë, naftë dhe karburant në ditë./VOA