Gjykata Supreme e Meksikës e ka dekriminalizuar përdorimin privat të kanabisit nga të rriturit, duke e cilësuar si jokushtetuese masën e deritashme për ndalimin e tij.
Me tetë vota për e tri kundër, kjo gjykatë vendosi që të rriturit të kenë mundësi të aplikojnë për leje që të kultivojnë dhe të konsumojnë kanabis. Sidoqoftë, një veprim i tillë do të jetë i ndaluar në vende publike dhe para fëmijëve.
“Sot është ditë historike për liritë”, tha kryetari i Gjykatës Supreme të Meksikës, Arturo Zaldivar.
Megjithatë, disa grupe thanë se vendimi i ri i gjykatës nuk pritet të sjellë ndryshime të mëdha së shpejti. Organizata Joqeveritare “Meksika e Bashkuar Kundër Krimit” tha se vendimi nuk i dekriminalizon veprimet që nevojiten për ta realizuar konsumimin, si posedimi dhe transportimi i kanabisit.
Dhoma e ulët e kuvendit e miratoi legalizimin e kanabisit në mars, por legjislacioni duhet të miratohet edhe në dhomën e lartë, në Senat, shkruan BBC.
Legjislacioni do t’ua lejonte përdoruesve që të bartin deri në 28 gramë të kësaj droge dhe të kultivojnë deri në tetë bimë për përdorim personal.
Përkrahësit e kësaj mase shpresojnë se ajo do ta pakësojë dhunën që lidhet me tregtinë ilegale të drogës, që besohet se shkakton mijëra të vrarë në Meksikë çdo vit.