UASHINGTON - Sekretari i Shtetit Antony Blinken u takua virtualisht të martën me myslimanë ujgurë, të cilët ishin mbajtur në kampe në rajonin veriperëndimor të Kinës, Xinjiang, për të dëgjuar për përvojat e tyre dhe për të kërkuar këshilla se si të ushtrohet presion ndaj Kinës që të ndalë represionin e atjeshëm.
Departamenti i Shtetit tha se Sekretari Blinken donte të dëgjonte drejtpërdrejt nga shtatë ish-të arrestuar, nga të afërm të disa të tjerëve dhe nga aktivistë për kushtet me të cilat ata dhe komuniteti ujgur përballen më gjerësisht.
"Sekretari mendoi se ishte e rëndësishme të takohej me këta individë për të dëgjuar nga afër historitë e tyre, për të dëgjuar nga afër përshtypjet e tyre për mizoritë e vazhdueshme në Xinjiang dhe internimin e një milion ujgurëve", tha zëdhënësi i departamentit, Ned Price. "Gjithashtu, është një mundësi për këta pjesëmarrës të ofrojnë rekomandimet që ata mund të kenë".
Kina është kritikuar ashpër dhe ndaj saj janë vendosur sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milion ujgurëve dhe pakicave të tjera për riedukim politik në Xinjiang.
Zoti Price tha se takimi tregoi vazhdimësi për këtë çështje në politikën amerikane, ndërmjet administratave shumë të ndryshme të Presidentit Biden dhe ish-Presidentit Trump.
Të dyja administratat e kanë quajtur fushatën në Xinjiang një "gjenocid" dhe vendosën sanksione ndaj Kinës për abuzimet e të drejtave të njeriut. Ish-Sekretari i Shtetit Mike Pompeo u takua disa herë me ish-të arrestuar ujgurë gjatë mandatit të tij si kryediplomat amerikan.
"Amerika ka folur shumë qartë dhe vazhdimisht për abuzimet, për mizoritë, për gjenocidin e vazhdueshëm që po ndodh në Xinjiang", tha zoti Price. "Dhe, kur ta gjykojmë të përshtatshme, mendoj se do të përdorim mekanizma shtesë në të ardhmen për t'i mbajtur përgjegjës zyrtarët për atë që ka ndodhur atje".
Që nga administrata e ish-Presidentit Trump, Shtetet e Bashkuara kanë rritur në mënyrë të vazhdueshme presionin ndaj Kinës në një numër frontesh, veçanërisht për shkak të shtypjes në Xinjiang dhe një goditje të disidencës politike dhe të drejtave të njeriut në Hong Kong. Ato kanë përfshirë ndalime udhëtimi, sanksione financiare dhe kufizime tregtare për importet kineze në Shtetet e Bashkuara.