Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka shkarkuar shumë zyrtarë të administratës së kaluar, por si duket njëri prej tyre nuk e ka ndër mend që t’i bindet aq lehtë. Këmbëngulja e tij kosovarëve mund t’u ngjajë me një rast të para disa muajve në vendin tonë.
Shefi i Shtëpisë së Bardhë të premten e shkarkoi komisionerin për Siguri Sociale, Andrew Saul, pas mosmarrëveshjes së vazhdueshme rreth udhëheqjes që ky zyrtar ia ka bërë agjencisë së pavarur që është përgjegjëse për administrimin e përfitimeve të pensionimit dhe ndihmave për personat me nevoja të veçanta.
Saul ishte një nga pak të emëruarit federalë që kishin mbetur në detyrë nga koha e administratës së ish-presidentit Trump. Shtëpia e Bardhë tha se ai u shkarkua, pasi e refuzoi kërkesën për të dhënë dorëheqje. Dorëheqja iu kërkua edhe zëvendëskomisionerit për Siguri Sociale, David Black. Ai e respektoi kërkesën, shkruan Fox News.
Zyrtari i shkarkuar e kontestoi ligjshmërinë e vendimit të Shtëpisë së Bardhë gjatë një interviste për gazetën e njohur amerikane, “The Ëashington Post”. Ai tha se të hënën planifikon të dalë në vendin e punës. “Unë e konsideroj veten komisioner të Sigurisë Sociale me mandat të mbrojtur”, tha ai.
Në anën tjetër, Shtëpia e Bardhë bëri një listë të ankesave kundër zyrtarit tashmë të shkarkuar. “Që nga marrja e detyrës, komisioneri Saul i ka minuar dhe politizuar benefitet e Sigurisë Sociale për personat me nevoja të veçanta, nuk i ka riparuar marrëdhëniet e agjencisë me sindikatat përkatëse federale të punëtorëve, përfshirë në kontekstin e planifikimit të sigurisë së vendeve të punës gjatë Covidit dhe ka ndërmarrë veprime të tjera që bien ndesh me misionin e agjencisë dhe me agjendën e politikave të Presidentit”, thuhet mes tjerash në deklaratën e qeverisë amerikane.
Presidenti amerikan e emëroi zonjën Kilolo Kijakazi për të shërbyer si komisionere në detyrë derisa të emërohet një zyrtar i përhershëm në këtë post.
Këmbëngulja e zyrtarit amerikan për të mos u larguar as pas shkarkimit ngjan me rezistencën që bëri në maj Gjergj Dedaj, i shkarkuar nga pozita e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë Veriore. Ai pat deklaruar se shkarkimi i tij është vendim arbitrar, tendencioz dhe skandaloz i Presidentes Osmani.