Rekord i ri infektimesh në SHBA

Amerika

Rekord i ri infektimesh në SHBA

Më: 7 gusht 2021 Në ora: 20:07
SHBA

Shtetet e Bashkuara shënuan këtë 24-orësh një tjetër rekord 6-mujor prej mbi 168 mijë infektimesh, teksa infektimet me variantin Delta po përhapen shumë më shpejt se valët e deritanishme.

Mutacioni me origjinë nga India nuk do t’ia dijë as për të vaksinuarit dhe po përhapet edhe pse tani gjysma e popullsisë e ka përmbyllur fazën e plotë të vaksinimit, ndërsa të paktën njërën dozë e kanë marrë mbi 70% e popullsisë.

Edhe numri i viktimave po rritet, në dallim nga vendet e tjera me nivele të larta vaksinimi si Britania e Madhe, Izraeli dhe shtetet e Bashkimit Europian, ku edhe pse ka rritje të infektimeve, vdekjet nuk kanë pësuar rritje me valën Delta.

Presidenti amerikan Joe Biden urdhëroi vaksinimin me detyrim të forcave ushtarake dhe gjithë stafit të ushtrisë. Shtëpia e Bardhë ka në plan që të nxisë vaksinimin tek të gjithë punonjësit e administratës, të cilët nëse nuk duan të imunizohen me vaksinë, do të detyrohen të kryejnë testet e përditshme të COVID-it.

Pranë rekordeve vazhdojnë të jenë vdekjet ditore në Rusi, ku këtë të Shtunë u njoftua për 793 viktima. Sakaq, Reuters ka zbuluar të dhëna se për periudhën Prill-Qershor, vendi ka pasur mbi 460 mijë vdekje më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, çka ngre dyshime se fatalitetet nga Covid-19 mund të jenë shumë herë më të larta nga sa është raportuar nga Moska.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat