Biden nuk është penduar për tërheqjen e trupave nga Afganistani

Amerika

Biden nuk është penduar për tërheqjen e trupave nga Afganistani

Më: 11 gusht 2021 Në ora: 08:12
Presidenti amerikan, Joe Biden

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk pendohet për vendimin e tij që të tërheqë trupat ushtarake nga Afganistani, teksa talibanët vazhdojnë të rrisin kontrollin.

Biden u ka bërë thirrje liderëve në Afganistan që të bashkohen dhe të luftojnë “për kombin e tyre”.

Dhuna është përshkallëzuar në këtë shtet tani që forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara janë duke u tërhequr nga Afganistani, pas 20 vjetëve të operacioneve ushtarake.

Talibanët kanë fituar kontrollin e të paktën tetë nga 34 kryeqytetet e provincave, dhe janë duke kërcënuar për më shumë.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpi të Bardhë, Biden ka thënë se SHBA-ja është duke zbatuar përkushtimet që ka bërë për Afganistanin, përfshirë mbështetjen ajrore, pagat për ushtri si dhe sigurimin e ushqimit dhe pajisjeve për forcat afgane.

“Ata duhet të luftojnë për veten e tyre”, ka thënë Biden.

E përditshmja amerikane, The Washington Post, ka cituar zyrtarë të paidentifikuar të kenë thënë se kryeqyteti i Afganistanit, Kabuli, mund të bie në duart e talibanëve brenda 90 ditëve.

Më shumë se 1,000 civilë janë vrarë si pasojë e luftimeve të ashpra në mes të talibanëve dhe forcave qeveritare muajin e kaluar, kanë raportuar Kombet e Bashkuara.

Agjencia për fëmijë e OKB-së, UNICEF, ka paralajmëruar këtë javë se mizoritë ndaj fëmijëve po rriten “ditë pas dite”.

Forcat e udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara kanë rrëzuar talibanët nga pushteti në tetor të vitit 2001.

Talibanët kanë qenë duke strehuar atëbotë Osama Bin Laden dhe figura tjera të Al-Kaidës, të lidhura me sulmet e 11 shtatorit të po atij viti në Shtetet e Bashkaura.

Presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se tërheqja amerikane tani është e arsyeshme, pasi forcat amerikane janë siguruar që Afganistani nuk do të bëhet më bazë për xhihadistë të huaj që të kryejnë komplote kundër Perëndimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat