SHBA-ja ngre dyshime ndaj Iranit në lidhje me Marrëveshjen Bërthamore

Amerika

SHBA-ja ngre dyshime ndaj Iranit në lidhje me Marrëveshjen Bërthamore

Më: 25 gusht 2021 Në ora: 14:27
I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Robert Malley.

Shtetet e Bashkuara kanë filluar ta vënë në pikëpyetje gatishmërinë e Iranit për t’iu kthyer zbatimit të marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, e cila kishte kufizuar aktivitetet bërthamore të Teheranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.

"Ne nuk e dimë nëse Irani ka për qëllim t’i kthehet zbatimit të marrëveshjes”, tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Iranin, Robert Malley.

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, u tërhoq në maj të vitit 2018 nga marrëveshja dhe rivendosi sanksione të ashpra që kanë shkatërruar ekonominë e Iranit.

Teherani ka reaguar duke ulur gradualisht angazhimet e tij sipas marrëveshjes dhe duke intensifikuar aktivitetin e tij bërthamor, që përfshin prodhimin e uraniumit pastërtinë 60 për qind. Për armë bërthamore përdoret uraniumi me pastërtinë 90 për qind.

Në Vjenë të Austrisë, muajt e fundit, janë mbajtur disa raunde të bisedimeve me ndërmjetësimin e evropianëve për të ringjallur marrëveshjen, mirëpo deri më tani nuk është shënuar ndonjë rezultat.

Malley shtoi se Uashingtoni është i shqetësuar se Teherani mund të marrë një qëndrim më të ashpër në bisedimet e Vjenës.

Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se Uashingtoni do të bëhet sërish pjesë e marrëveshjes nëse Teherani së pari i kthehet zbatimit të saj të plotë.

Malley tha se të dy palët ende mund të arrijnë një marrëveshje për një kthim reciprok në respektimin e marrëveshjes, duke shtuar se Uashingtoni është i përgatitur të bëjë "kompromise të vështira".

Në anën tjetër presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi, ka thënë se do të kërkojë një zgjidhje diplomatike për t'i dhënë fund sanksioneve kundër vendit të tij.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat