Kryeministri izraelit Naftali Bennett do të vizitojë Shtëpinë e Bardhë të enjten për bisedime me Presidentin amerikan Joe Biden në lidhje me Iranin, çështje të sigurisë dhe pandeminë e koronavirusit.
Kjo është hera e parë që dy udhëheqësit takohen personalisht që kur zoti Bennett mori detyrën e kryeministrit në qershor.
"Ky do të jetë një rast për kryeministrin që të dëgjojë drejtpërdrejt nga presidenti angazhimin e tij të fortë për sigurinë dhe të drejtën e Izraelit për t'u vetëmbrojtur, si dhe mbështetjen për nevojat e Izraelit në fushën e mbrojtjes" u tha gazetarëve një zyrtar i lartë i administratës Biden para takimit.
Zyrtari tha se tërheqja përfundimtare së shpejti e ushtrisë amerikane nga Afganistani do të çlirojë më shumë burime dhe vëmendje për përparësi të tjera, përfshirë marrëdhëniet me Izraelin. Bisedimet do të përqëndrohen tek Irani, programi i tij bërthamor, si dhe ato që zyrtari i quajti "aktivitete destabilizuese të këtij vendi në rajon".
"Programi bërthamor i Iranit po përshpejtohet nga java në javë. Ky është një problem shumë serioz dhe të dy udhëheqësit, do të kenë mundësinë të ulen së bashku e të diskutojnë se çfarë të bëjnë në lidhje me të", tha zyrtari amerikan.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh indirekte me synimin për t'u bërë sërish pjesë e marrëveshjes ndërkombëtare të vitit 2015, e cila kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Marrëveshja u arrit mes shqetësimeve se Irani po punonte për të prodhuar armë bërthamore, akuza që Teherani i ka hedhur poshtë.
Në vitin 2018 ish-Presidenti amerikan Donald Trump u tërhoq nga marrëveshja, çka bëri që Irani të heqë dorë nga angazhimet e tij në kuadër të saj, duke rritur rezervat e uraniumit të pasuruar.
"Do t'i them Presidentit Biden se është koha për t'i ndaluar iranianët e për të mos u dhënë atyre një litar shpëtimi në formën e rikthimit në një marrëveshje bërthamore të skaduar", tha zoti Bennett të dielën./VOA