Shtetet e Bashkuara të Amerikës po përballen me një situatë të vështirë pandemike pavarësisht se gati 60 përqind e popullsisë është imunizuar. Në 24 orët e fundit autoritetet Amerikane raportuan mbi 190 mijë infektime me Covid, shifra më e lartë kjo që prej fundit të janarit të këtij viti. Shifrat më të larta të infektimeve i mban Florida dhe më pas vijnë Teksasi dhe Kalifornia.
Të larta mbeten edhe fatalitetet, ku për të disatën ditë me radhë janë shënuar mbi 1300 jetë të humbura. Situata mbetet problematike edhe në spitale, ku numri i pacientëve të shtruar i ka kaluar 100 mijë.
Në Europë, Britania e Madhe vijon të ketë numrin më të lartë të infektimeve ditore. Sipas autoriteteve shëndetësore atje, në 24 orët e fundit u shënuan mbi 38 mijë raste të reja infektimesh dhe mbi 100 jetë të humbura.
Pas saj vjen Rusia, e cila shënoi 19 mijë infektimeve dhe 820 humbje jete. Ndërkohë që më e qëndrueshme paraqitet situata në Francë, Spanjë, Gjermani dhe Itali, të cilat prej disa ditësh kanë një situatë të stabilizuar të përhapjes së virusit dhe të fataliteteve.
Në total në rang global në 24 orët e fundit u shënuan mbi 713 raste të reja dhe afro 10 mijë viktima si pasojë e Covid.