Një vajzë 9-muajshe e cila ndodhej në aeroplanin që po barte afganë të evakuuar, ka vdekur të mërkurën, pas mbërritjes në aeroportin e Filadelfisë bashkë me të atin, kanë bërë të ditur zyrtarë amerikanë.
Sipas tyre, kjo shënon vdekjen e parë të një qytetari afgan gjatë evakuimeve, prej që kanë nisur ato nga mesi i muajit gusht.
Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes ka deklaruar se vajza 9-muajshe ndodhej në aeroplanin C-17 që po fluturonte nga Gjermania për në Filadelfi, kur kishte humbur ndjenjat.
Vajza dhe babai i saj ishin dërguar menjëherë në Spitalin e Fëmijëve në Filadelfi, ku mjekët kanë konstatuar se foshnja është e vdekur.
Aeroporti i Filadelfisë ka procesuar 3,654 të evakuuar nga Afganistani të cilët kanë mbërritur nga 28 gushti deri më 1 shtator, sipas të dhënave të fundit të shpërndara nga qyteti.
SHBA-ja ka bërë të ditur se ka evakuuar afërsisht 24,000 qytetarë të rrezikuar nga Afganistani.