Një nga mikeshat e Gabby Petito foli së fundmi për jetën e YouTuberes së ndjerë 22-vjeçare.
Gjatë një episodi të 48 Hours, Rose Davis ndau kujtimet e saj të marrëdhënies së Gabbyt me të fejuarin Brian Laundrie, i cili është ende në kërkim. Gabby u gjet e vdekur në Pyllin Kombëtar Bridger-Teton në Wyoming, pak kohë pasi u zhduk pas një udhëtimi me Brian.
Rose tha se ajo u takua me Gabbyn pasi kjo e fundit u transferua në Florida për të jetuar me Brian pas fejesës me të, në korrik 2020. Ato filmuan edhe video në mediat sociale së bashku.
Duke kujtuar reagimin e saj kur Gabby i tha për udhëtimin me furgon me Brian në korrik, Rose tha:
“Unë isha e shqetësuar që ata do të kalonin aq shumë kohë së bashku, sepse kur i pashë për herë të fundit, nuk po shkonin mirë… Mendoj se Brian e dinte që kurrë nuk do të ishte i mjaftueshëm për Gabbyn. Ajo ishte e mrekullueshme.”
Duke përshkruar personalitetin e Brian, Rose u shpreh se “kur ai dëshiron diçka, e merr patjetër”. Ajo tregoi një situatë, ku sipas saj Brian ishte treguar manipulues.
“Unë nuk dua që njerëzit të mendojnë se po e quaj manipulues, por ai e manipulonte situatën për të marrë atë që dëshironte nga ajo,” tha Rose.
“Ai nuk donte që ajo të dilte një natë me mua dhe i vodhi katrën e ID, sepse nuk mund të futesh në lokal pa letërnjoftim. Dhe kjo ishte vërtet shqetësuese për Gabbyn. Kur jeni të fejuar nuk supozohet të ndodhë kështu”.
Rose foli edhe për pamjet e policisë që tregonin oficerët që flisnin me Gabbyn dhe Brian pasi kishin pasur një zënkë të fortë.
“Duhet të ketë qenë diçka e rëndë, përderisa ajo ishte në atë gjendje,” tha Rose.
“Kur pashë kamerën e trupit, e dija se ishte më shumë se një grindje e vogël.”
Kjo nuk është hera e parë që dikush nga rrethi i ngushtë i Gabbyt ka rezerva për marrëdhënien e saj me Brian. Kohët e fundit, shoqja e Gabbyt, Alyssa Chen, tha për People se çifti ishin toksik ndonjëherë, duke shtuar se ata kishin shpesh debate të forta.
Aktualisht është lëshuar një urdhër për arrestimin e Brian, pasi një juri e madhe federale e akuzoi atë kohët e fundit për përdorim të paautorizuar të një kartë debiti pasi Gabby ndërroi jetë. Megjithatë, autoritetet nuk e kanë emëruar atë si të dyshuar për vdekjen e Gabbyt.