Shtetet e Bashkuara kanë akuzuar një shtetas kanadez, i cili ka përgatitur video propagandistike për grupin esktremist Shteti Islamik (IS).
Mohammed Khalifa, i lindur në Arabinë Saudite, u kap nga milicia kurde në Siri në vitin 2019 dhe më vonë iu dorëzua Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) në SHBA.
Prokurorët amerikanë thanë se 38-vjeçari ishte “zëri prapa dhunës”.
Sipas aktakuzës, ai ka qenë luftëtar i IS-it para se të niste me përkthimin dhe përgatitjen e videove për grupin.
Ai do të dalë para një gjykate amerikane javën e ardhshme për t’u përballur me akuzën e ofrimit të "mbështetjes materiale për një organizatë terroriste".
Në një intervistë dhënë një gazete, pas kapjes së tij, Khalifa tha se ai kishte qenë një luftëtar i nivelit të ulët dhe vetëm “zëri" i IS-it.
Ai këmbënguli se nuk kishte luajtur asnjë rol në filmimin ose realizimin e skenave të tmerrshme që ai i përgatiti për transmetim.
Khalifa u largua nga Kanadaja më 2013 për t'u bashkuar me IS -in në Siri.
Më pas ai u bë një anëtar kyç i ekipit të propagandës së grupit.
Departamenti i Drejtësisë në SHBA tha se këtë detyrë ai e ushtroi "pjesërisht për shkak të aftësive të tij gjuhësore si një folës i rrjedhshëm i gjuhës angleze dhe arabe".
Videot në internet tregonin prerjet e kokave dhe mizoritë e tjera, të cilat ishin një tipar kyç i rekrutimit të IS -it në mbarë botën, derisa grupi po zgjeronte shtrirjen e tij në Siri dhe Irak.
Por, propaganda e grupit filloi të zbehet pasi militantët filluan të humbnin territorin nga viti 2017.