Në dy shtete amerikane, në Virxhinia dhe në Nju Xhersi, banorët po votojnë në garën për guvernator. Zgjedhjet në këto dy shtete janë të rëndësishme, pasi po ndodhin shumë pak kohë para zgjedhjeve për Kongres, vitin e ardhshëm.
Në shtetin e Virxhinias, demokrati Terry McAuliffe, i cili ka shërbyer si guvernator nga viti 2014 deri në vitin 2018, përballet me republikanin Glenn Youngkin, një figurë e re në politikë.
Të dy kandidatët mbajtën aktivitetet përfundimtare të fushatës të hënën në periferi të Virxhinias. Zoti McAuliffe në muajt e fundit ka pësuar ulje në sondazhe. Është e njëjta periudhë kur edhe mbështetja për presidentin Joe Biden ra nga 50 për qind në pak më shumë se 40 për qind.
Ish-presidenti Donald Trump ka mbështetur fushatën e zotit Youngkin, si dhe bëri thirrje që republikanët të shkonin në një tubim që u mbajt të hënën në mbrëmje.
Ndërkohë, guvernatori i Nju Xhersit, Phil Murphy, një demokrat, po përpiqet të sigurojë rizgjedhjen kundër ish-anëtarit republikan të Asamblesë së Shtetit, Jack Ciattarelli.
Demokratët kanë një shumicë të brishtë në Dhomën e Përfaqësuesve me 435 vende, përpara zgjedhjeve të vitit 2022. Por përpara këtyre zgjedhjeve, duhet të plotësohen tre vende të lira në Dhomën e Përfaqësuesve. Gara është për dy vende në shtetin e Ohajos si dhe për një vend në shtetin e Floridës.
Disa informacione janë marrë nga agjensitë Associated Press dhe Reuters./VOA