Sheshi i famshëm Times Square në Nju Jork po rihapet për festimet e Vitit të Ri pas një pushimi njëvjeçar për shkak të pandemisë së koronavirusit, thanë zyrtarët e qytetit të martën.
Vizitorët duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit të plotë të koronavirusit dhe një kartelë identifikimi me foto.
"Ne duam të mirëpresim të gjithë ata qindra-mijëra njerëz, por të gjithë duhet të vaksinohen," tha kryetari i bashkisë së Nju Jorkut Bill de Blasio në një konferencë shtypi.
Ai shtoi se do të jetë një moment i madh dhe se kanë shumë për të festuar.
Times Square është vendi më i njohur për festimet e Vitit të Ri në SHBA, dhe festimet ishin të mbyllura për publikun vitin e kaluar. Për shkak të numrit të madh të rasteve me koronavirus, ngjarjet, përfshirë edhe zbritjen e topit, janë transmetuar online.