Nju Jorku rikthen festën e Vitit të Ri

Amerika

Nju Jorku rikthen festën e Vitit të Ri

Më: 17 nëntor 2021 Në ora: 14:38
Nju Jorku gjatë festave. Fotografi nga arkivi.

Njerëzit do të lejohen të marrin pjesë në festimet e sivjetme të Vitit të Ri në sheshin “Times Square” të Nju Jorkut, konfirmoi kryebashkiaku i qytetit, Bill de Blasio.

Festa është anuluar vitin e kaluar për shkak të pandemisë COVID-19.

Njerëzit që duan të shohin rënien e topit këtë vit, do të duhet të tregojnë dëshmi të vaksinimit të plotë ose test negativ kundër sëmundjes COVID-19.

Rënia e topit simbolizon fillimin e Vitit të Ri.

“Më në fund mund të bashkohemi sërish. Do të jetë e mahnitshme, do të jetë një gëzim për këtë qytet”, tha kryebashkiaku de Blasio.

Njerëzit e kanë festuar natën e Vitit të Ri në “Times Square” qysh në vitin 1904.

Por, vitin e kaluar, festimet janë anuluar, pasi Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve u kanë bërë thirrje njerëzve që t’i shmangin tubimet.

De Blasio tha se ka punuar me Departamentin e Shëndetësisë dhe Departamentin e Policisë së Nju Jorkut që festa të kalojë mirë.

SHBA-ja ka regjistruar numrin më të madh të rasteve me COVID-19 në botë.

Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, ky vend ka konfirmuar mbi 47 milionë raste të të infektuarve dhe mbi 765,000 viktima.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat