Një gjykatës në shtetin Nju Jork i ndaloi përkohësisht të enjten gazetës "The New York Times" të publikojë disa materiale në lidhje me grupin konservator "Project Veritas". Kjo është një masë e pazakontë që gazeta thotë se është në shkelje të mbrojtes së parashikuar në Amendamentin e Parë të Kushtetutës amerikane për lirinë e shprehjes.
Urdhëri i lëshuar nga Gjykatësi Charles Wood në Westchester, të shtetit Nju Jork, ka të bëjë me dokumentat e shkruara nga një jurist i grupit "Project Veritas", të cilat ka mundur t'i marrë gazeta.
Gjykatësi Wood gjithashtu caktoi një seancë për në datën 23 nëntor, gjatë së cilës do të shqyrtohet një masë më afatgjatë për ndalimin e publikimeve, si dhe nëse gazeta duhet të heqë të gjitha referencat ndaj informacionit, që është përftuar në kuadrin e marrëdhënies konfidenciale avokat - klient dhe të publikuar në një artikull të datës 11 nëntor në lidhje me praktikat e gazetarisë së grupit "Project Veritas".
"Ky vendim është anti-kushtetues dhe krijon një precedent të rrezikshëm", shprehet Dean Baquet, drejtori ekzekutiv i gazetës "The New York Times", në një deklaratë të dërguar me email.
"Kur një gjykatë hesht gazetarinë, ajo tradhëton interesat e qytetarëve të saj dhe dëmton të drejtën e tyre për t'u informuar", shtoi ai. "Gjykata e Lartë e ka bërë të qartë këtë me çështjen e Dokumentave të Pentagonit, për të cilën u mor një vendim i rëndësishëm kundër ndalimit të publikimit të materialeve me vlerë nga gazetaria. Ai parim vlen qartësisht edhe për këtë rast. Ne po kërkojmë shqyrtimin e menjëhershëm të këtij vendimi".
Deklarata e zotit Baquet i referohet refuzimit në vitin 1971 nga Gjykata e Lartë e Shteteve të Bashkuara të përpjekjes së administratës së ish-Presidentit Nixon për të ndalur gazetat "The New York Times" dhe "The Washington Post" të publikonin "Dokumentat e Pentagonit", ku zbërthehej përfshirja e ushtrisë amerikane në Vietnam.
Bruce Brown, drejtor ekzekutiv i Komitetit të Gazetarëve për Lirinë e Shtypit, e quajti masën paraprake të ndalimit "një ndër kërcënimet me serioze për lirinë e shtypit" dhe tha se vendimi i gjykatësit Wood duhet të rrëzohet në procesin e apelimit, nëse nuk e anulon ai vetë.
"Kjo është masa e parë e tillë ndaluese e vendosur ndaj gazetës 'The New York Times' që nga koha e Dokumentave të Pentagonit dhe është një shkelje revoltuese e Amendamentit të Parë", tha zoti Brown në një deklaratë.
Grupi "Project Veritas" është përfshirë gjithashtu në një hetim të Departamentit të Drejtësisë për rolin që mund të ketë luajtur në vjedhjen e ditarit të vajzës së Presidenti Joe Biden, Ashley.
Sipas padisë në gjykatë, FBI-ja sekuestroi këtë muaj telefonat celularë, pasi kishte marrë urdhër gjykate, në shtëpitë e themeluesit të grupit James O'Keefe dhe dy ish-anëtarëve të këtij grupi.
Pasi Gjykatësi Wood dha vendimin e tij për ndalimin e publikimit, zoti O'Keefe sugjeroi në një deklaratë të tij se gazeta "The New York Times" zbatoi standarte krejt të ndryshme të gazetarisë për sekuestrimet nga FBI-ja.
"Gazeta duhet të vendosë nëse është në favor të lirisë së shtypit për të gjithë, apo vetëm për veten... ", tha ai.
Avokatët e Grupit "Project Veritas" kërkuan ndërhyrjen e Gjykatësit Wood pasi "referenca, përshkrime dhe citime fjalë për fjalë" nga dokumentat e avokatit të grupit, Benjamin Barr, filluan të shfaqen në gazetën "The New York Times".
Grupi gjithashtu ka paraqitur një padi për shpifje ndaj gazetës, në lidhje me një artikull të shtatorit 2020, ku përshkruhet një video e qarkulluar nga ky grup me pretendimin për manipulime zgjedhore në Minnesota.
Në padinë në gjykatë, grupi "Project Veritas" e quan artikullin e 11 nëntorit "një përpjekje e hapur hakmarrëse për të dëmtuar dhe turpëruar kundërshtarin në një proces ligjor".
Avokati i gazetës tha se Gjykatësi Wood nuk duhet të kishte vendosur një "kufizim të papërshtatshëm dhe drastik" ndaj gazetës, pa i dhënë asaj mundësinë të provojë se kërkesa e "Project Veritas" është "me mangësi faktike dhe ligjore"./VOA