Presidenti Joe Biden shkon të mërkurën në Kentaki për të parë dëmet nga tornadot shkatërruese të javës së kaluar që shkaktuan vdekjen e të paktën 64 personave dhe shpërnguljen e mijëra të tjerëve.
Zoti Biden ka shpallur gjendje emergjence për shtetet e Kentakit dhe Ilinoit. Ai tha se ka urdhëruar administratën që të vërë në dispozicion të gjitha burimet e nevojshme për zyrtarët lokalë në Kentaki dhe shtetet e tjera të prekura nga stuhitë.
"Ka shumë për të bërë dhe ne sapo kemi filluar. Por ne do të punojmë me të gjithë guvernatorët duke dhënë gjithë ndihmën e duhur”, tha ai.
Presidenti tha se mesazhi i tij për guvernatorët e shteteve ishte se qeveria federale do t'i ndihmonte ata që të siguronin "gjithçka që u duhet, atëherë kur t’u duhet."