Diplomacia amerikane gjatë vitit 2021

Amerika

Diplomacia amerikane gjatë vitit 2021

Më: 15 dhjetor 2021 Në ora: 00:35
Antony Blinken

Administrata e Presidentit Biden mori drejtimin e vendit me zotimin për të rikthyer Amerikën në vendin që i takon në arenën e diplomacisë botërore. Sekretari i Shtetit Antony Blinken u zotua të punojë ngushtë për të forcuar lidhjet me aleatët e Shteteve të Bashkuara. Por krizat e papritura, grushtet e shtetit dhe konfliktet në Etiopi, Haiti, Mianmar, Sudan dhe Ukrainë kanë qënë disa nga pikat kyçe të angazhimeve të kryediplomatit amerikan gjatë vitit 2021.

Shumë aleatë dhe vëzhgues amerikanë ndoqën me shpresa të mëdha betimin e diplomatit veteran, Antony Blinken si Sekretar i 71-të i Shtetit në janar 2021.

“Është një ditë e re për Amerikën. Një ditë e re për botën.”

Duke folur me punonjësit e Departamentit të Shtetit në ditën e tij të parë të punës, zoti Blinken foli për pritshmëri të larta.

“Bota po na shikon me vëmendje tani. Ata duan të dinë nëse ne mund ta shërojmë vendin tonë. Duan të shohin nëse do të udhëheqim me fuqinë e shembullit tonë, nëse do t'i japim përparësi kryesore diplomacisë me aleatët dhe partnerët tanë për të përballuar sfidat e mëdha të kohës sonë – si pandemia, ndryshimet klimatike, kriza ekonomike, kërcënimet ndaj demokracive, luftën për drejtësinë racore – dhe rrezikun ndaj sigurisë dhe stabilitetit tonë global, nga rivalët dhe kundërshtarët tanë”.

Por premtimet e janarit u përballen me një realitet të ashpër në terren. Një grusht shteti ushtarak në shkurt në Mianmar, pasuar nga një shtypje e dhunshme e dhjetëra mijëra protestuesve. Vrasja e presidentit të Haitit në korrik dhe një grusht shteti ushtarak në tetor në Sudan, janë vetëm disa nga krizat ndërkombëtare me të cilat u përball administrata e Presidentit Biden gjatë vitit 2021.

Shtetet e Bashkuara gjithashtu po punojnë për të ndihmuar në dhënien fund të konfliktit njëvjeçar që filloi në rajonin verior Tigray në Etiopi, ku miliona njerëz aktualisht përballen me zi buke.

Michelle Gavin, analiste me Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë me qendër në Nju Jork, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Administrata e Presidentit Biden ka bërë një përpjekje të jashtëzakonshme për t'u angazhuar nga ana diplomatike për këtë çështje duke emëruar të dërguarin special [Jeffrey] Feltman. Por kjo nuk ka sjellë ndryshim të situatës në Etiopi. Ky vend po shkon drejt kolapsit.”

Pavarësisht sfidave të jashtme, analistët thonë se Presidenti Joe Biden dhe i besuari i tij i ngushtë, Antony Blinken kanë qenë të suksesshëm në qëllimin e tyre kryesor – riparimin e marrëdhënieve kritike dhe aleancave të dëmtuara nga politika e ish-Presidentit Donald Trump “Amerika e para”.

Në një bisedë me Zërin e Amerikës, Brian Katulis me Institutin e Lindjes së Mesme, thotë se Uashingtoni ka qënë i suksesshëm në thellimin e partneritetit me aleancat.

“Në përgjithësi, ata kanë qenë në gjendje t'i përmbahen planit të tyre më të gjerë, që nga vizita e Presidentit Biden në Evropë në pranverë dhe përpjekjet për të thelluar partneritetet dhe aleancat me aleatët tanë evropianë, dhe në mënyrë të ngjashme në Azi, gjithashtu për të provuar për të tërhequr vendet që ishin skeptike me drejtimin që po ndiqnin Shtetet e Bashkuara....”

Por analistët thonë se tërheqja kaotike nga Afganistani në gusht, vuri para prove administratën e Presidentit Biden, së bashku me reagimin e ashpër të Francës ndaj një marrëveshjeje për nëndetëset midis Shteteve të Bashkuara dhe Australisë.

Michael Kimmag, me Fondin Marshall Gjerman, foli me Zërin e Amerikës përmes rrjetit Skype.

“Aleanca me Evropën është riparuar. Ka patur fërkime. Me siguri që Afganistani dhe marrëveshja e nëndetëseve janë dy çështjet më të mëdha. Por aleanca po funksionon shumë më mirë.”

Kina dhe kundërshtarët e tjerë po ndjekin me kujdes se si Presidenti Biden dhe kryediplomati Blinken po e trajtojnë shtimin e pranisë ushtarake ruse përgjatë kufirit me Ukrainën dhe nëse Shtetet e Bashkuara i respektojnë angazhimet e tyre ndaj integritetit territorial të aleatëve.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat