Prokurorët në Shtetet e Bashkuara ngritën akuza të enjten ndaj themeluesit të grupit të ekstremit të djathtë “Oath Keepers”, Stewart Rhodes, dhe 10 personave të tjerë për komplot për kryengritje lidhur me rolin e tyre në sulmin vdekjeprurës të 6 janarit 2021 ndaj Kapitolit.
Është hera e parë që prokurorët ngrenë akuza të tilla kundër të pandehurve për sulmin. Vepra penale përkufizohet si përpjekje "për të përmbysur, rrëzuar ose shkatërruar me forcë qeverinë e Shteteve të Bashkuara."
Përkrahësit e ish-Presidentit Donald Trump sulmuan atë ditë Kapitolin në një përpjekje të dështuar për të mos lejuar Kongresin që të konfirmonte fitoren e Presidentit Joe Biden.
Sulmi ndodhi menjëherë pasi zoti Trump përsëriti në një fjalim pretendimet e tij të rreme se humbja e tij ishte si pasojë e manipulimeve të gjera të votimit dhe u kërkoi mbështetësve të tij të shkonin në Kapitol dhe të "luftonin me forcë" për të ndaluar vjedhjen e zgjedhjeve.
Oath Keepers janë një grup aktivistësh të djathtë që besojnë se qeveria federale po shkel të drejtat e tyre dhe i përqendron përpjekjet e rekrutimit tek oficerë dhe ish-oficerë të policisë, pjesëtarë të shërbimeve të urgjencës dhe ushtrisë.
Prokurorët thanë se duke filluar nga fundi i dhjetorit 2020, Rhodes përdori komunikime private të koduara për të planifikuar udhëtimin në Uashington më 6 janar. Ai dhe të tjerë kishin planifikuar të merrnin armë me vete për të mbështetur operacionin, thanë ata.
Ndërsa disa nga anëtarët e “Oath Keepers” nxituan brenda ndërtesës të veshur me uniforma taktike, të tjerët qendruan jashtë në formën e "forcave të reagimit të shpejtë", të cilat ishin të përgatitur të transportonin me shpejtësi armë në qytet, tha prokurori.
Sipas akuzës, Thomas Caldwell, që ishte shpallur që më parë si i pandehur në këtë rast, dhe Edward Vallejo nga Arizona, një i pandehur i ri, ishin përgjegjës për koordinimin e këtyre ekipeve të forcave të reagimit të shpejtë.
Vepra penale e komplotit për kryengritje parashikon një dënim maksimal prej 20 vitesh burg. Nëntë nga 11 të pandehurit po përballeshin edhe me akuza të tjera.
Departamenti i Drejtësisë ka ngritur akuza për më shumë se 725 persona lidhur me sulmin e 6 janarit./VOA