Roja bregdetare: 1 trup i gjetur, 38 ende të zhdukur në Florida

Amerika

Roja bregdetare: 1 trup i gjetur, 38 ende të zhdukur në Florida

Më: 26 janar 2022 Në ora: 23:14
Florida

Roja Bregdetare ka gjetur një trup të pajetë dhe po vazhdon kërkimin për 38 persona të tjerë të zhdukur nga një varkë e përmbysur pasi një i mbijetuar i vetëm u gjet i kapur pas një pjese të varkës së përmbysur në brigjet e Floridës.

Ekuipazhet e të paktën katër anijeve dhe pesë avionëve kontrolluan një zonë të gjerë. Roja Bregdetare thotë se grupi prej 40 vetash u largua nga ishulli Bimini në Bahamas mbrëmjen e së shtunës, në atë që ata dyshojnë se ishte një operacion kontrabande me qenie njerëzore. I mbijetuari u tha zyrtarëve se askush nuk kishte veshur jelek shpëtimi pasi anija u përmbys nga moti i keq.

Roja Bregdetare tha se kishte lëshuar një paralajmërim për mjetet e vogla, pas një fronti të fuqishëm të ftohtë të shtunën dhe të dielën, me erëra deri në 37 km/h dhe dallgë deri në 3 metra të larta.

I mbijetuari u dërgua në spital për simptoma të dehidratimit dhe ekspozimit në diell. Autoritetet nuk dhanë më shumë hollësi rreth tij, duke thënë se ai tani është në paraburgim të Departamentit të Sigurisë Kombëtare.

Bimini është një ishull i vogël rreth 90 kilometra në lindje të Majamit dhe rreth 160 kilometra në jug të vendit ku u gjet i mbijetuari.

Emigrantët kanë përdorur prej kohësh ishujt e Bahamas si një shteg për të arritur në Florida dhe Shtetet e Bashkuara.

Në pjesën më të madhe, këta emigrantë janë nga Haiti dhe Kuba, por Forca Mbrojtëse Mbretërore e Bahamas ka raportuar se ka kapur emigrantë nga pjesë të tjera të botës, duke përfshirë nga Kolumbia dhe Ekuadori.

Roja bregdetare patrullon vazhdimisht ujërat rreth Haitit, Republikës Domenikane, Kubës dhe Bahamas. Të premten, ekuipazhet e saj nxorrën 88 haitianë nga një anije mallrash me vela të mbingarkuar në perëndim të Bahamas./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat