Shtetet e Bashkuara kanë informacion që sinjalizon se Rusia ka hartuar një plan për të fabrikuar një sulm fals ushtarak nga Ukraina në territorin rus dhe do ta përdorë këtë si pretekst për të sulmuar Ukrainën, tha një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden.
Zyrtarët amerikanë të zbulimit thonë se fabrikimi i një videoje për një sulm të tillë është një nga disa opsione që Kremlini po përgatit për t'i dhënë pretekstin për të pushtuar Ukrainën, tha zyrtari.
"Videoja do të publikohet për të vënë në dukje rrezikun ndaj sigurisë së Rusisë dhe për të mbështetur operacionet ushtarake", tha zyrtari, i cili kërkoi të mbetet anonim.
"Kjo video, nëse do të qarkullohet, mund t'i ofrojë Putinit shkëndijën që i duhet për të filluar dhe për të justifikuar operacionet ushtarake ndaj Ukrainës", tha zyrtari.
Zyrtari tha se administrata e Presidentit Biden po i bën të ditura detajet e planeve të mundshme të Rusisë me qëllimin për ta dekurajuar Rusinë nga zbatimi i tyre.
Në një intervistë të enjten me kanalin MSNBC, Zv.Këshilltari i Sigurisë Kombëtare, Jonathan Finer, tha se "nuk e dimë me siguri se do të ndjekin këtë rrugë, por e dimë se ky është një ndër opsionet që po shqyrtojnë".
NATO mirëpret trupa të tjera amerikane
Administrata e Presidentit Biden i bëri të ditura këto të dhëna të zbulimit pasi Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, mirëpriti të enjten planet e Shteteve të Bashkuara për të vendosur më shumë forca në Evropë dhe tha se NATO po shqyrton dërgimin e formacioneve të tjera luftarake në pjesën jugore të aleancës mes tensioneve përgjatë kufirit Rusi-Ukrainë.
Shtetet e Bashkuara kishin njoftuar të mërkurën planet për dërgimin e 2 mijë forcave shtesë në Evropë, shumica në Poloni, dhe për zhvendosjen e 1 mijë forcave nga Gjermania drejt Rumanisë, me qëllim forcimin e krahut lindor të NATO-s.
Forcat shtesë, pjesë e Divizionit të 82-të Parashutist, "nuk do të luftojnë në Ukrainë" në rast të një pushtimi nga Rusia, tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby. Ai shtoi se ky dislokim i përkohshëm synon të japë sinjalin e qartë se qëndrojmë së bashku me NATO-n dhe saktësoi se ky dislokim është veçmas 8500 forcave të tjera amerikane të vendosura në gjendje të lartë gatishmërie për një dërgim të mundshëm drejt Evropës./VOA