Trudeau kërkon t’i jepet fund protestës së kamionistëve në Kanada

Amerika

Trudeau kërkon t’i jepet fund protestës së kamionistëve në Kanada

Më: 8 shkurt 2022 Në ora: 12:39
Foto ilustrim

Kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, ka thënë se protesta e kamionistëve që e ka paralizuar kryeqytetin Otava duhet të ndalet.

Ai tha se kanadezët janë “të tronditur dhe sinqerisht të neveritur” nga sjelljet e disa protestuesve të cilët dyshohet se kanë kryer akte vandale dhe sjellje që kanë të bëjnë me abuzim racor.

Drejtuesit e kamionëve kanë bllokuar Otavën me kamionët e tyre, çka ka bërë të shpallet gjendje e jashtëzakonshme në qytet, në protestën e tyre kundër rregullave të Kanadasë për vaksinën kundër COVID-19.

Për gati dy javë, qindra kamionë e kanë bllokuar qendrën e qytetit duke detyruar shumë biznese lokale që të mbyllen, shkruan BBC.

Kjo protestë ka shkaktuar pakënaqësi të mëdha edhe te qytetarët të cilët po pengohen nga zhurma e vazhdueshme e borive, megjithëse situata ishte pak më e qetë në këtë aspekt kur një gjykatës i Otavës vendosi që kamionistët nuk duhet t’i bien borive për 10 ditë.

Ndërsa protesta ka qenë kryesisht paqësore, policia në Otava ka thënë se është e shqetësuar për retorikën ekstremiste që vjen nga grupet e ekstremit të djathtë pjesëmarrëse në tubim.

Përpos abuzimeve racore dhe homofobike të raportuara në këtë protestë janë shfaqur edhe simbolet naziste.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat