Shtëpia e Bardhë: Sullivan dhe Yang patën “diskutime substanciale”

Amerika

Shtëpia e Bardhë: Sullivan dhe Yang patën “diskutime substanciale”

Më: 14 mars 2022 Në ora: 22:18
Shtëpia e Bardhë

Këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare, Jake Sullivan është takuar të hënën me diplomatin e lartë të Partisë Komuniste të Kinës, Yang Jiechi në Romë, dhe ka “përmendur në mënyrë direkte” shqetësimin për mbështetjen e Kinës për Rusinë, ka thënë zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, Ned Price.

Presidenti amerikan, Joe Biden ka dërguar Sullivanin në Romë për të takuar Yang-un, pas shqetësimeve se Pekini është duke përhapur dezinformatat ruse dhe mund t’i ndihmojë Moskës për t’iu ikur sanksioneve ekonomike të Perëndimit.

Mbështetja ndaj Rusisë, pas pushtimit që ka nisur Moska në Ukrainë, do të kishte ndikim për marrëdhëniet e Kinës në gjithë botën, përfshirë aleatët amerikanë, partnerët në Evropë dhe rajonin e Indo-Paqësorit, ka thënë Price para mediave.

Shtëpia e Bardhë ka thënë se Sullivan dhe Yang kanë diskutuar “një mori çështjesh të lidhura me marrëdhëniet SHBA-Kinë”, dhe “diskutime substanciale për luftën e Rusisë në Ukrainë”.

Para takimeve, Sullivan ka paralajmëruar Kinën që të shmangë ndihmën për Rusinë, ashtu që ajo t’iu ikë sanksioneve.

“Ne nuk do të lejojmë këtë gjë”, ka thënë ai.

Rusia ka hedhur poshtë sugjerimet se po kërkon ndihmën e Kinës./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat