Senati konfirmon emërimin e gjykatëses Jackson në Gjykatën e Lartë

Amerika

Senati konfirmon emërimin e gjykatëses Jackson në Gjykatën e Lartë

Më: 7 prill 2022 Në ora: 23:09
E emëruara për anëtare të Gjykatës së Lartë, Ketanji Brown Jackson, duke bërë betimin përpara dëshmisë në Komisionin e Senatit për Gjyqësorin (21 mars 2022)

Senati konfirmoi të enjten, me një votim 53 me 47, të emëruarën nga Presidenti Biden për anëtare në Gjykatën e Lartë, gjykatësen Ketanji Brown Jackson. Ajo do të jetë gruaja e parë afrikano-amerikane që do të bëhet anëtare e gjykatës më të lartë amerikane dhe Presidenti Joe Biden mori kështu mbështetje dypartiake për këtë përzgjedhje të tij historike.

Tre senatorë republikanë kishin thënë paraprakisht se do të mbështesnin kandidaturën e gjykatëses Jackson, e cila do të zëvendësojë gjykatësin Stephen Bryer që del në pension këtë verë.

Megjithëse ky votim është larg mbështetjes dypartiake që pati marrë gjatë procesit të konfirmimit gjykatësi Bryer apo kandidatura të tjera në të kaluarën, përfaqëson sidoqoftë një arritje domethënëse për Presidentit Biden, në një Senat të ndarë përgjysëm, pasi senatorët republikanë u përpoqën në mënyrë intensive ta paraqisnin zonjën Jackson si liberale dhe jo të ashpër sa duhet ndaj krimit.

"Do të jetë një ditë e gëzueshme", ishte shprehur kreu i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer, të mërkurën në mbrëmje, gjatë njoftimit për seancën e votimit.

"E gëzueshme për Senatin, e gëzueshme për Gjykatën e Lartë, e gëzueshme për Amerikën"./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat