Zyrtarët amerikanë po përballen me pyetje të reja nëse një paketë masive ndihme për Ukrainën do të arrijë shpejt dhe nëse do të jetë e mjaftueshme për t’i mbështetur forcat ukrainase në atë që po kthehet në një luftë të zgjatur me Rusinë.
Ukraina po përgatitet për përshkallëzimin e pritshëm të sulmeve ruse në rajonin e Donbasit në lindje të vendit.
Ndërsa përpiqen të përshtaten me atë terren të ri sfidues, ShBA po rrit angazhimin e saj për të ndihmuar – duke dërguar një shtesë armësh dhe municioni me vlerë 800 milionë dollarë në një paketë që përfshin helikopterë shtesë Mi-17, topa Howitzer, disa qindra dronë Switchblade, sistemet e radarëve kundër artilerisë dhe pajisjet mbrojtëse për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme kimike.
Por arritja e kësaj ndihme në duart e forcave të armatosura të Ukrainës po përballet tani me një garë me kohën.
Imazhet e reja satelitore kanë kapur një numër në rritje të trupave ruse dhe automjeteve të blinduara që po drejtohen në Ukrainën lindore — territor ku Rusia ka shumë më tepër avantazhe sesa në sulmin e saj të mëparshëm në Ukrainën veriore dhe kryeqytetin e Kievit – ndërsa Presidenti rus, Vladimir Putin, vazhdon të tregojë seai do të përdorë çdo mjet të nevojshëm për të përmbushur ambiciet e tij për të fituar kontrollin e atij rajoni.
Raundi i ri i artilerisë dhe municioneve e çon totalin e ndihmës ushtarake amerikane për Ukrainën në 3.2 miliardë dollarë që kur administrata Biden mori detyrën.
Përpjekja e SHBA-së u përforcua të mërkurën nga njoftimi i Bashkimit Evropian për një mbështetje ushtarake shtesë prej 544 milionë dollarësh për Ukrainën, duke përfshirë pajisjet mbrojtëse ushtarake dhe personale, karburantin dhe kompletet e ndihmës së parë , që e çon ndihmën e saj totale në 1.63 miliardë dollarë.