Komisariati i policisë në Tampa të Floridas pushoi nga puna një punonjës policie i cili u regjistrua në video teksa tërhiqte zvarrë një grua të prangosur.
Sipas një hetimi të brendshëm, ish-polici Gregory Damon shkeli rregullat e policisë në incidentin që u regjistrua në 17 nëntor.
Sipas deklaratës së komisariatit të policisë, gruaja ishte arrestuar për hyrje të paligjshme në ambjentet private të një qendre mjekësore.
Videoja e regjistruar në kamerën e trupit të ish- policit tregon se në momentin që parkuan para burgut Orient Road gruaja e arrestuar refuzonte të dilte nga makina. Ajo dëgjohet t’i kërkojë ish-punonjësit të policisë që ta nxjerrë forcërisht.
Ish-polici e nxjerr atë nga automjeti duke e tërhequr nga krahët dhe e lëshon në dysheme. E tërheq zvarrë, ndalon vetëm një herë ku i kërkon gruas të ngrihet, por kjo e fundit refuzon dhe ai vazhdon ta tërheqi zvarrë deri tek dera ku kërkon ndihmë nga kolegët. Në këtë moment videoja e shpërndarë nga policia e Tampas, ndërpritet.
Agjencia tha se sipas rregullores së rishikuar në 2013 policët ndalohen të tërheqin zvarrë të dyshuarit të cilët refuzojnë t’u binden. Policia tha se ish-punonjësi duhet të kishte kërkuar ndihmë nga kolegët.
Gregory Damon kishte punuar për policinë e Tampas që në vitin 2016.