Trump përballet me akuza penale në gjykatë pas aktakuzës historike, ja si deklarohet

Amerika

Trump përballet me akuza penale në gjykatë pas aktakuzës historike, ja si deklarohet

Nga: Bota sot Më: 4 prill 2023 Në ora: 19:46 Përditësuar në ora: 20:35 më 04.04.2023
Ish-presidenti Donald Trump në një gjykatë në Manhattan, të martën, 4 prill 2023, në Nju Jork.

Trump hyn në sallën e gjyqit, do të deklarohet i pafajshëm

Nga: A. Zh

Donald Trump - ish-presidenti i parë në histori që përballet me akuza penale - ka hyrë në sallën e gjyqit në Nju Jork për t'u gjykuar.

Sipas CNN, ai pritet të deklarohet i pafajshëm, përcjell Bota sot.

Detajet për më shumë se 30 akuzat, me të cilat ai përballet do të zbulohen kur aktakuza e jurisë së madhe të zbardhet. Aktakuza rrjedh nga një hetim në lidhje me një pagesë të parave të heshtura të bëra aktores së filmave për të rritur Stormy Daniels gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Organizatat e lajmeve nuk do të jenë në gjendje të transmetojnë aktakuzën drejtpërdrejt, tha një gjykatës të hënën mbrëma, duke refuzuar një kërkesë nga disa organizata mediatike, përfshirë CNN.

Megjithatë, pesë fotografë do të lejohen të bëjnë fotografi të Trumpit dhe sallës së gjyqit përpara se të fillojë seanca.

Masa të larta sigurie në Nju Jork, turma pro-Trump nën kontroll të rreptë të policisë

Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të dalë në gjykatë në Nju Jork të martën, një moment që do të shënojë presidentin e parë që do të akuzohet për një krim.

Trump, i cili mohon çdo keqbërje, përballet me akuza në lidhje me falsifikimin e të dhënave të biznesit në një hetim për paratë e heshtura.

Ai pritet të dalë në gjykatë në orën 14:15, sipas orës lokale. Këto janë masat e sigurisë jashtë gjykatës.

Arrestimi i Trumpit, ky është reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Presidenti Joe Biden është i vetëdijshëm për akuzën e paraardhësit të tij dhe "natyrisht" do ta kuptojë lajmin, tha Shtëpia e Bardhë të martën, por theksoi se ky "nuk është fokusi i tij".

“Shikoni, presidenti do të përqendrohet te populli amerikan siç bën çdo ditë. Kjo nuk është diçka që është në fokus për të. Ai do të fokusohet në gjëra të tilla si sigurimi që ne të vazhdojmë të ulim çmimet për popullin amerikan”, tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre në përgjigje të një pyetjeje nga MJ Lee e CNN, përcjell Bota sot.

“Sigurisht, kjo po shfaqet në shumë prej rrjeteve këtu në baza ditore për orë e orë të tëra, kështu që padyshim, ai do të kapë një pjesë të lajmeve kur të ketë një moment për të kapur lajmet e ditës, por kjo nuk është fokusi i tij për sot”, tha ajo.

Biden do të takohet me Këshillin e tij të Këshilltarëve për Shkencën dhe Teknologjinë këtë pasdite për një bisedë mbi inteligjencën artificiale, ndërsa seanca e ish-presidentit Trump po zhvillohet në Manhattan.

Jean-Pierre nuk pranoi të komentonte mbi specifikat e çështjes, por përsëriti se Bideni "nuk e ngriti kokën lart" për aktakuzën dhe u informua nga shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë Jeff Zients mbi zhvillimet siç u raportua në media.

Biden ka refuzuar vazhdimisht të komentojë mbi rastin, por i tha CNN të hënën në Minesota se ai ka besim në Departamentin e Policisë së Nju Jorkut dhe u përgjigj pozitivisht kur u pyet nëse ai ka besim në sistemin ligjor.

Trump zyrtarisht nën arrest, reagon në rrjete sociale

Ish-Presidenti amerikan Donald Trump është zyrtarisht i arrestuar. Pasi ka mbërritur në zyrën e prokurorit të Manhattanit, Trumpit i janë marrë shenjat e gishtave për çështjen penale për të cilën akuzohet.

Sipas raportimeve Donald Trump nuk do të vihet nën pranga por do të gjykohet në gjendje të lirë. Kjo për shkak se duke qenë ish-President, Trump mbahet ende në ruajtje nga Shërbimi Sekret dhe nuk ka gjasa që të arratiset apo të përpiqet që të dëmtojë hetimet ndaj tij.

Ai do të dalë në sallën e gjyqit, ku dhe do të njihet zyrtarisht me akuzat ndaj tij. Por gjykatësi nuk ka lejuar që në sallën e gjyqit të jenë të pranishme mediat dhe raportohet se nuk do të ketë asnjë fotografim të tij.

Trump ka reaguar në rrjetet sociale, teksa i drejtohej Gjykatës së Manhatanit. Në “Truth Social”, ai u shpreh se kjo që po i ndodhte i dukej surreale dhe nuk i besohej se diçka e tillë po ndodh në SHBA, shkruan CNN.

“Duke u nisur për në Gjykatën e Manhatanit. Duket kaq surreale, ata do të më arrestojnë. Nuk mund të besohet se kjo po ndodh në Amerikë”, shkroi Trump.

Ish-Presidenti akuzohet për mosdeklarimin e pagesës prej 130 mijë Dollarësh të bërë në vitin 2016 për aktoren e filmave për të rritur Stormy Daniels, në këmbim të aferës seksuale që Trump dyshohet se ka pasur me të në 2006-n. 

Arrestohet Donald Trump

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump është arrestuar.

CNN ka raportuar se tanimë Trump është nën arrest dhe në mbajtje policore.

Raportohet se ish-presidentit amerikan do t’i merren shenjat e gishtërinjve si pjesë e arrestimit, ndonëse është e paqartë nëse do t’i bëhet edhe një fotografi.

Pas kësaj ai do të sillet në sallën e gjykatës.

Sipas CNN, ai nuk do të paraqitet me duar të lidhura, por do të jetë nën mbrojtjen konstante të forcave të rendit.

Gjyqi kundër Ish-Presidentit Trump, moment i paprecedentë në historinë amerikane

Sot, në një gjykatë në Manhatan, shpaloset një moment i paprecedentë në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ish Presidenti Donald Trump, i cili po përballet me një sërë hetimesh, pritet të dorëzohet para autoriteteve, për t’u përballur me padinë penale që rrjedh nga dyshimet se në vitin 2016, ai ka paguar për të blerë heshjen e aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels.

Dita e parë e këtij procesi pritet të jetë e shkurtër – zotit Trump do t’i merren shenjat e gishtave, ai do të mësojë aktakuzën e plotë kundër tij dhe pritet të deklarohet i pafajshëm.

Republikani Donald Trump do të bëhet ish presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.

Udhëheqësi i 45-të i Shteteve të Bashkuara, i shoqëruar nga pjesëtarë të Shërbimit Sekret, do të largohet nga “Kulla Trump” në drejtim të Gjykatës së Manhatanit.

Policia e Nju Jorkut është gati për protesta të mundshme nga ana e mbështetësve të zotit Trump, të cilët besojnë se aktakuzat kundër tij, janë të motivuara politikisht dhe synojnë të dobësojnë përpjekjet e tij për rikthimin në Shtëpinë e Bardhë më 2024.

Ish presidenti 76 vjeçar e ka ushqyer këtë bindje të mbështetësve të tij dhe është munduar ta shfrytëzojë këtë situatë në avantazhin e tij politik, duke deklaruar se ka mbledhur 8 milionë dollarë në më pak se një javë nga aktakuza, të cilën ai e quan “gjueti shtrigash”.

Në sallën e gjyqit në Manhatan, prokurorët, nën drejtimin e prokurorit të qarkut të Nju Jorkut, demokratit Alvin Bragg, do të lexojnë aktakuzën e lëshuar javën e kaluar nga juria e madhe.

Ky është momenti kur zoti Trump dhe avokatët e tij mbrojtës do të mësojnë akuzat e plota kundër ish presidentit.

Më pas, ish presidenti pritet të lirohet.

Hetimet janë bazuar në pagesat e kryera në ditët e fundit të fushatës së tij presidenciale më 2016, në adresë të aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels dhe ish modeles së kompanisë “Playboy”, Karen McDougal.

Të dyja thonë se kanë kryer marrëdhënie seksuale me zotin Trump.

Ish presidenti mohon të ketë pasur marrëdhënie me to, ose se ka paguar për të blerë heshtjen e tyre.

Procesi kundër tij do të zvhillohet nën masa të rrepta sigurie në Nju Jork. Kjo vjen më shumë se dy vite pas sulmit në Kapitol të mbështetësve të zotit Trump, një përpjekje e dështuar për të penguar certifikimin në Kongres të fitores së demokratit Joe Biden.

Ky rast ka gjithë vëmendjen e publikut amerikan.

Por, avokatët e zotit Trump kërkuan që të mos lejohet prania e kamerave brenda sallës së gjyqit. Gjykata pritet të vendosë sot rreth kësaj kërkese.

Megjithëse prokurorët këmbëngulin vazhdimisht se asnjë person nuk është mbi ligjin, ngritja e kallëzimeve penale kundër një ish presidenti ka vështirësi logjistike.

Procesi në Nju Jork do të jetë një provë e rëndësishme, ndërsa prokurorët në Atlanta dhe Uashington po kryejnë hetime që mund të pasohen me akuza të reja kundër zotit Trump.

Këto hetime kanë të bëjnë me përpjekjet e tij për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve të vitit 2020 dhe keqpërdorimin e mundshëm të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago.

Udhëheqësit republikanë, duke përfshirë rivalët e mundshëm të zotit Trump brenda partisë pëpr zgjedhjet presidenciale të 2024, e kanë kritikuar procesin gjyqësor kundër tij.

Presidenti Biden, i cili ende nuk ka deklaruar nëse do të rikandidojë dhe udhëheqësit demokratë, nuk kanë folur shumë për këtë rast.

Prokurorët këmbëngulin se procesi gjyqësor kundër zotit Trump nuk ka të bëjë me politikën.

Zoti Trump pritet që sot në mbrëmje të kthehet në rezidencën e tij në “Mar-a-Lago” në Florida, ku do to të mbajë një konferencë para të paktën 500 mbështetësve të njohur të tij. Në mesin e të ftuarve janë edhe disa nga republikanët më pro-tij në Kongres.

Dënimi nuk do ta pengonte zotin Trump të kandidojë ose fitojë garën presidenciale të vitit 2024./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat