Pesë persona janë vrarë nga të shtënat me armë në një shtëpi nga një i dyshuar i armatosur me armë të gjatë të stilit AR-15, tha policia amerikane.
Incidenti ndodhi rreth gjysmë ore para mesnatës sipas kohës lokale të premten, kur policia mori një thirrje për një rast shqetësimi në Cleveland të Teksasit – qytezë e vogël rreth 90 kilometra në veri të qytetit Houston, raporton “ABC News”.
Kur policia arriti në vendin e ngjarjes, gjeti disa viktima të qëlluara me armë në atë pronë, thanë autoritetet.
Viktima më e re e të shtënave është një fëmijë 8-vjeçar, ndërsa dy gra të vrara u gjetën në një dhomë gjumi, të shtrira mbi dy fëmijë që kishin mbijetuar, thanë autoritetet.
I dyshuari është një burrë meksikan i armatosur me armë të stilit AR-15 dhe është nën ndikimin e substancave, sipas autoriteteve.
Të paktën dhjetë persona ndodheshin në shtëpi, kur policia arriti në vendin e ngjarjes, dhe të gjitha viktimat ishin mes moshave 8 dhe 40-vjeçare.
Banorëve në Cleveland u është thënë që të qëndrojnë brenda dhe larg vendit të sulmit derisa të përmbyllen hetimet.