Policia amerikane thotë se një burrë e vazhdoi takimin romantik pas vrasjes për mashtrim me 40 dollarë

Amerika

Policia amerikane thotë se një burrë e vazhdoi takimin romantik pas vrasjes për mashtrim me 40 dollarë

Më: 29 prill 2023 Në ora: 14:22
Eric Aguirre

Një burrë në Teksas të Shteteve të Bashkuara, i cili kishte dalë në një takim romantik dhe ishte mashtruar me 40 dollarë nga një person në parking, thuhet se u kthye dhe e vrau mashtruesin që ishte paraqitur si punëtor parkingu, pastaj u kthye në darkë, sipas dokumenteve të gjykatës.

Eric Aguirre u paraqit të enjten në gjykatë nën akuzën për vrasje të 46-vjeçarit Elliot Nix më 11 prill. Avokati i tij, Brent Mayr, refuzoi që të komentonte, raporton agjencia “Associated Press”.

Aguirre, 29 vjeç, pretendohet se i tha personit me të cilin kishte dalë për darkë se “gjithçka ishte në rregull” dhe se ai vetëm e kishte frikësuar burrin, pasi ishte kthyer në restorantin “Rodeo Goat” nga parkingu. Ata pastaj filluan që të ecnin drejt një tavoline, por u larguan për të ngrënë diku tjetër, pasi Aguirre nuk dukej se po ndihej rehat, sipas dokumenteve të gjykatës.

Personi që u takua me Aguirren e kontaktoi policinë dy ditë pas publikimit të fotografisë së çiftit nga policia. “Ajo deshi që ta bënte gjënë e duhur. Ajo deshi të sigurohej që të paraqitej dhe i tregoi policisë se çfarë dinte”- tha avokati i gruas, Rick DeToto.

Aguirre dhe gruaja me të cilën dolën për darkë i kishin parkuar veturat e tyre afër restorantit, kur tashmë i vrari u ishte afruar, duke thënë se secilit do t’i kushtonte nga 20 dollarë parkimi i veturave, sipas një dëshmie nën betim.

29-vjeçari i kishte paguar 40 dollarë, por më vonë u njoftua nga një punëtor i restorantit se Nix nuk punonte në parking dhe se ai e kishte mashtruar, tha policia.

Një punëtor i një dyqani duhani afër vendit të ngjarjes më vonë i tha policisë se e kishte parë Aguirren duke vrapuar drejt veturës së tij, duke marrë një pistoletë dhe duke lëvizur drejt Nixit. Punëtori tha se më pas nuk i pa ata dy persona, por se dëgjoi një të shtënë para orës 20 dhe më pas e pa Aguirren duke ecur drejt veturës me pistoletë në dorë para se ta linte armën në veturë. Aguirre më pas hyri në restorant, sipas dëshmisë. Nixi u dërgua në spital, ku më vonë vdiq.

Në 2021, ligjvënësit e Teksasit e miratuan legjislacionin që ua lejon njerëzve mbajtjen e pistoletave pa leje.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat