DeSantis fajëson idetë e majta për rënien ekonomike dhe sociale

Amerika

DeSantis fajëson idetë e majta për rënien ekonomike dhe sociale

Më: 28 qershor 2023 Në ora: 19:09
Ron DeSantis

Guvernatori i Floridës Ron DeSantis, i cili po kandidon për të fituar emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, ka fajësuar “idetë e majta” për atë që ai e cilëson si një rënie në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët. Sondazhet e fundit tregojnë se republikani DeSantis renditet në vendin e dytë pas zotit Trump me një diferencë që varion nga 20% sipas anketës së zhvilluar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe 30% sipas anketës nga Quinnipiac.

Gjatë një tubimi në shtetin Nju Hampshire, guvernatori i Floridës Ron DeSantis fajësoi idetë e majta për rënien ekonomike dhe sociale në qytetet dhe shtetet e drejtuara nga demokratët. Zoti DeSantis po kandidon për të fituar emërimin e Partisë Republikane në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 5 nëntor të vitit 2024.

“Idetë për të cilat ne luftojmë kanë vlera. Idetë që kemi zbatuar në Flordia kanë funksionuar”.

Republikani DeSantis mori si shembull qytetet Los Anxhelos, San Françisko dhe Çikago të drejtuara nga demokratët, ku problemet sociale dhe ekonomike janë të lidhura me zbatimin e ideve të majta, siç u shpreh ai.

“Në qytetin Nejpells (Naples-Florida) është rritur vlera e pasurive të paluajtshme. Sa herë që rriten çmimet e shtëpive e di që Çikagoja ka bërë një marrëzi tjetër dhe njerëzit largohen. Ata kishin një kryebashkiake të tmerrshme dhe zgjodhën një kryebashkiak edhe më të majtë”.

Zoti DeSantis theksoi rëndësinë e shkollave duke shtuar se sistemi arsimor nuk i zëvendëson të drejtat e prindërve.

“Qëllimi i sistemit tonë shkollor është që t’i arsimojë fëmijët, jo t’i indoktrinojë ata. Prindërit kanë të drejtën themelore në arsimimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre”.

Zoti DeSantis tha se prindërit duhet të vendosin për ato që u mësohen fëmijëve nëpër shkolla, ndërsa ka nga ta që mendojnë se prindërit nuk duhet të dinë se çfarë mësimesh jepen në shkollat e fëmijëve të tyre.

Gjatë takimit në qytetin Hollis, guvernatori DeSantis u pyet nëse zoti Trump e kishte cënuar kalimin paqësor të pushtetit në vitin 2020.

“Nëse këto zgjedhje përqendrohen tek dështimet e Presidentit Biden dhe vizioni ynë për të ardhmen, ne do të fitojmë. Nëse u kthehemi gjërave që kanë ndodhur dy ose tre vite më parë, ne do të humbasim”, tha zoti DeSantis.

Një muaj më parë guvernatori i Floridës shpalli kandidaturën për Shtëpinë e Bardhë. Sondazhet e fundit tregojnë se republikani DeSantis renditet në vendin e dytë pas zotit Trump me një diferencë që varion nga 20% sipas anketës së zhvilluar nga agjencia e lajmeve Reuters dhe 30% sipas anketës nga Quinnipiac. Në vend të tretë renditet ish-Zëvendëspresidenti Mike Pence me rreth 7% mbështetje sipas sondazheve nga Reuters./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat